Më 1 shkurt sërish në Bruksel do t’i shtrëngojnë duart përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë në një rund tjetër të bisedimeve, e cila po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas përfaqësuesve nga Prishtina, një nga temat e diskutimit pritet të jetë përmbyllja gjashtëvjeçare e dialogut Prishtinë – Beograd, si dhe njohja e Kosovës nga Serbia.
Realizimi i kësaj çështjeje në praktikë po shihet si e pamundur nga opozita, e cila shpreh skepticizëm se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe nëse epilogu i bisedimeve ndodh pas një dekade, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se përmbyllja e dialogut është kompetencë e Qeverisë, derisa këta të fundit përgjegjësinë e drejtojnë kah Tahiri. “Për këtë duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Dialogut”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, në pyetjen se kur përmbyllet dialogu.
Në anën tjetër politologët vlerësojnë se përmbyllja e dialogut është në duart e presidentit Hashim Thaçi. “Kjo temë nuk është në mandatin e Edita Tahirit, por në atë të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili e përfaqëson vendin brenda dhe jashtë”, ka deklaruar politikologu Ramush Tahiri. Ai rithekson se finalizimi dhe marrëveshja përfundimtare nuk është në dorë të ministrave për Dialog.