Site icon Prishtinapress

Zyrtarisht kërkohet nga Ministria e Brendshme dhe Policia të ndalojnë hyrjen e trenit të Serbisë

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Republikës së Kosovës ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës të ndalojnë hyrjen e trenit të Serbisë në Kosovë. Kanë arsyetuar se Ligji ndalon operatorët që nuk janë të licencuar të shfrytëzojnë hekurudhat e Kosovës. Ndërsa, kanë thënë se hekurudha Mitrovicë-Leshak është e rrezikshme pasi nuk është e mirëmbajtur.

Ky institucion ka thënë se asnjë operator i Serbisë s’ka leje për të hyrë në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe treni i nisur nga Serbia është ilegal dhe i palicensuar në Kosovë.

“Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës kërkon nga institucionet e vendit që të reagojnë në rast të tentimit për hyrje me trena në territorin e Republikës së Kosovës të operatorëve të palicencuar nga ana e institucionit tonë”, thuhet në shkresën drejtuar Skender Hysenit, Lutfi Zharkut e Shpend Maxhunit, shkruan Gazeta Express.

Edhe Ligji për Hekurudhat e Kosovës ndalon operimin e kompanive që nuk janë të licencuar.

Veç kësaj, Autoriteti i Hekurudhave të Kosovës ka paralajmëruar rrezikun që mund të ketë për udhëtarët nëse kalohet kah linja Mitrovicë-Leshak për shkak se kjo linjë nuk është mirëmbajtur dhe ka rrezik nëse kalohet me tren.

“Andaj, kërkojmë nga organet përgjegjëse të parandalojnë çdo tentim për organizim të transportit hekurudhur, i cili nuk është pjesë e regjistrit të licencimeve të ndërmarrjeve hekurudhore sepse përndryshe mund të jetë me rrezik për jetën e njerëzve një transport i tillë i pakontrolluar”, thuhet në letrën e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.

Exit mobile version