Site icon Prishtinapress

Zyrtari i LVV’së: Ibrahim Rugova ishte antiamerikan

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Feraj, përmes një shkrimi e ka quajtur presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, antiamerikan.

Feraj thotë se jeta politike e Rugovës ishte kundër qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pjesa më e madhe e jetës politike të Ibrahim Rugovës ka qenë kundër qëndrimit zyrtar të SHBA-ve. Prej vitit 1990 asnjë prej tre opcioneve të famshëm të Rugovës nuk mbështetej nga presidentët e SHBA-ve”, shkruan Feraj.

Tutje, Feraj tha se populli dhe Rugova siguroi miqësinë dhe aleancën e Amerikës duke dalë kundër kërkesave të Amerikës.

“Kundër kërkesave amerikane, Rugova as populli nuk hoqi dorë prej asnjërit prej tyre. Me këtë siguroi miqësinë dhe aleancën me amerikanët”, shkroi zyrtari i LVV’së në Facebook.

“Në fund, SHBA erdhën zyrtarisht te njëri prej opcioneve tanë: Kosova shtet i pavarur”.

Sipas Ferajt, SHBA e kanë mbështetur për herë të parë Rugovën pas ‘tri opsioneve e Rugovës’, e deri në atë kohë, Rugova ishte kundër qëndrimit amerikan dhe Amerika kundër qëndrimeve të Rugovës.

“Shumica e “rugovianëve” mustafistë nuk e dinë këtë fakt, sepse as atëherë e as sot nuk dinë asgjë. Gjithsesi le të kujtojnë në cilin vit SHBA e kanë mbështetë për herë të parë zyrtarisht kërkesën e Rugovës për Republikë, pavarësi ose bashkim me Shqipërinë – tri opsionet e Rugovës. Deri atë ditë Rugova ka qenë kundër qëndrimit amerikan, dhe amerika kundër qëndrimeve të Rugovës. Nuk po flasim për UÇK-në që i dërguari amerikan, Gellbard, e shpalli terroriste, pastaj aleatin e vet kryesor, në vend të Rugovës”, përfundon Feraj.

Exit mobile version