Site icon Prishtinapress

Zyrtare: Ministri i Jashtëm gjerman nesër në Kosovë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka konfirmuar për Gazetën Express se Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, do të qëndrojë nesër në Prishtinë. Haas do të takojë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kryediplomati gjerman pritet të diskutojë me krerët e institucioneve për dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve

Qeveritë evropiane dhe administrata Biden vazhdimisht kanë deklaruar se qeveria e Kosovës duhet t’i rikthehet dialogut me Serbinë për t’i hapur rrugë marrëveshjes përfundimtare.

Nga qeveria e Kosovës kanë konfirmuar se kryeministri Kurti në javën e ardhshme do të udhëtojë për në kryeqytetin evropian për t’u takuar me udhëheqësit kryesorë të institucioneve evropiane, por kanë mohuar se do të ketë takim me presidentin serb Vuçiq, i cili gjithashtu do të qëndrojë në Bruksel javën e ardhshme.

Për punën e dialogut me Serbinë, nesër do ta vizitojë Kosovën edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

Vizitën e tij e kanë konfirmuar për Express edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

“Ministri i Jashtëm Federal Maas planifikon të udhëtojë për në Prishtinë, Kosovë më 22.04.2021. Në kuadër të vizitës së tij ai do të zhvillojë biseda me Presidenten, Kryeministrin dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës. Pikërëndesat tematike të vizitës do të jenë çështjet e marrëdhënieve bilaterale, përafrimi me BE-në, si dhe dialogu për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Për më tepër nga Gjermania zyrtare ka pasur reagime kundër idesë së ndryshimit të kufijve të shteteve në Ballkan, pasi disa ditë më parë u raportua për një dokument jozyrtar që qeveria e kryeministrit slloven, Janez Jansa ka dërguar në adresë të presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel.

Ministri për Evropë i Qeverisë Federale të Gjermanisë, Michael Roth, në një intervistë për Deutche Welle ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e Berlinit zyrtar kundër idesë së prekjes së kufijve në Ballkanin Perëndimor, debat ky i rikthyer pas publikimit të një letre jozyrtare e në të cilën përshkruheshin lëvizje kufijsh e shkëputje territoresh.

Roth ka thënë se në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk përfshihet kurrfarë demarkacioni i kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version