Site icon Prishtinapress

Zyra e Kryeministrit konfirmon se Haradinaj është në pritje të vizës britanike

Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës ka pranuar se kryeministrit Ramush Haradinaj ende nuk i është dhënë viza për në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu siç ka raportuar sot Koha Ditore.

Në një reagim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Ramush Haradinajt nuk i është refuzuar viza nga Ambasada Britanike.

Tutje aty theksohet se kryeministri ka aplikuar për vizë para disa ditësh dhe ende nuk ka marrë përgjigje, pasi ende është në procedurë të pritjes.

“Kryeministri ka aplikuar për vizë para disa ditësh dhe është në procedurë. Ende nuk ka përgjigje. Me kohë do të jepen detaje për vizitën, sepse tani është herët, derisa për atë qe është shkruar, edhe njëherë po u themi që Kryeministrit Haradinaj, nuk i është refuzuar viza,” thuhet përgjigjen e Qeverisë, përcjell Koha.net.

Të shtunën, gazeta “Koha Ditore”, ka raportuar se Britania e Madhe nuk e ka pajisur ende me vizë kryeministrin Haradinaj, i cili ka marrë ftesë nga BERZH-i për të qenë në Londër më 26 shkurt, në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta në asnjë rast nuk ka thënë se Haradinajt i është refuzuar viza. Ka treguar se është vënë në pikëpyetje pjesëmarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj në Samit. Duke u thirrur në burime të veta gazeta ka raportuar se Ambasada Britanike në Prishtinë, deri tash, nuk e ka pajisur me vizë kreun e Qeverisë. Koha Ditore kishte pritur për tri ditë përgjigje nga Zyra e kryeministrit rreth kësaj çështje.

Kujtojmë se rreth dy javë më parë, edhe Ambasada Amerikane refuzoi t’i japë vizë Haradinajt, duke ia pamundësuan një aktivitet në shtetin e Iowa-s.

Exit mobile version