Site icon Prishtinapress

Zgjedhjet janë opsioni i fundit për PDK’në

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është duke insistuar në postin e Presidentit. E këtë post e dëshiron edhe AAK-ja, që e ka propozuar Ramush Haradinajn për këtë pozitë. Në ndërkohë partitë tjera ende nuk kanë vendosur për kandidatin e tyre, teksa ka një ndarje të qëndrimeve për sa i përket shkuarjes së vendit në zgjedhje para emërimit të presidentit.

Nënkryetari i PDK`së, Shaqir Totaj në një deklaratë për Gazetën Express ka thënë që zgjedhjet janë opsioni i fundit të cilin e mendon PDK-ja.

Sipas tij më mirë do të ishte që të arrihet një konsensus paraprak për presidentin.

“PDK`ja mendon se do të ishte mirë nëse do mund të arrihej një konsensus për presidentin para se te shkojmë në zgjedhje. Nëse jo atëherë zgjedhjet janë të paevitueshme. PDK`ja është e gatshme për zgjedhje por ne i shohim zgjedhjet si opsion i fundit pasi te jene konsumuar te gjitha mundësitë tjera. Këtë e arsyetojmë me faktin se vitin e kaluar kishim zgjedhje dhe qytetaret janë te lodhur nga zgjedhjet e shpeshta”, ka thënë ai për Express.

Mirëpo, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila bashkë me LDK`në e Nismën udhëheqin Qeverinë “Hoti”, mendojnë që Ramush Haradinaj është emri më i përshtatshëm për këtë pozitë.

Deputeti i AAK`së, Gazmend Syla ka thënë për Express se situata me presidentin duhet të zgjidhet sa më shpejtë, duke aluduar kështu që nuk është momenti i duhur për zgjedhje.

“Subjekti politik AAK e ka thënë̈ fjalën e vet në lidhje me emrin e Presidentit. Ne besojmë̈ se Ramush Haradinaj është̈ emri më i përshtatshëm për qindra arsye. Në mënyrë̈ që të shmangen ngërçet politike në qeverisjet e ardhshme dhe duke marrë parasysh se situata me pandeminë̈ duhet të ketë̈ prioritetin kryesor, situata me presidentin duhet të zgjidhet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Për çështjen e zgjedhjeve është deklaruar sot edhe anëtarja e kryesisë së VV`së, Arbërie Nagavci.

Ajo ka theksuar se vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme e përcakton qartë që dënimi i një anëtari të Kuvendit për vepër penale është pengesë absolute, dhe tutje e ndalon shprehimisht kandidimin  për t’u zgjedhur  deputet një shtetasi të Kosovës nëse është shpallur fajtor për vepër penale me një veprim të prerë në tre vitet e fundit. Vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja, çkapje të institucioneve e rregullim politik dhe njëkohësisht dhe për rregullim të gjendjes juridike”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Kryetari i LDK’së të hënnë i ka thënë Expressit se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme.

“Sa u përket zgjedhjeve komunale apo të përgjithshme, që nesër jemi të gatshëm. Pa fije hezitimi”, ka deklaruar Mustafa, për Express. /Gazeta Express/

Exit mobile version