Site icon Prishtinapress

Zëvendëskryeministri: PDK e konfirmon se ka dështuar nëse e përkrahë rrëzimin e Qeverisë

Një zyrtar i Qeverisë dhe i LDK’së po thotë se nëse PDK e mbështetë nismën për rrëzimin e Qeverisë atëherë do të konfirmonte se edhe Partia e Kadri Veseli ka dështuar. Megjithëkëtë, Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi nuk beson se PDK do të përkrahë nismat e opozitës për rrëzimin e Isa Mustafës. Por, zyrtarët e PDK’së e kanë lënë të hapur mundësinë e përkrahjes së nismës së opozitës derisa kanë thënë se vendimin e merr Kadri Veseli.

Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, aktualisht  zv kryeministër nga radhët e LDK’së, Ramiz Kelmendi, konsideron se përkrahja e mocionit për rrëzimin e Qeverisë nga PDK, i inicuar nga Nisma për Kosovën, do të ishte rrëzim i punës së përbashkët  të koalicionit qeverisës.

Proceset Demokratike, siç vlerëson ai, askush nuk ka mundësi t’i ndal dhe se është në vullnetin e liderëve të vendoset për të ardhmen e vetë e edhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm.

Zyrtarët e Partisë së Kadri Veselit thonë se vetëm Kryetari vendos nëse do të përkrahin mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Duke e komentuar këtë deklaratë, Zëvendës kryeministri Kelmendi, tha të shtunën për Express se koalicioni nuk duhet të bie pre e kërkesave të opozitës sepse në këtë mënyrë siç u shpreh ai do të pranohet edhe dështimi i punës së tyre gjatë qeverisjes.

“Sigurisht që as PDK e as LDK nuk bien pre e kërkesave të opozitës  për ta rrëzuar Qeverinë, pasi rrëzimi i Qeverisë është rrëzimi i punës së përbashkët që është bërë nga këto dy parti politike të mëdha. Praktikisht nuk ish dashtë që askush ta rrëzojë vetveten për arsye se PDK është pjesëtarë i koalicionit ma të madh dhe nuk e shoh të arsyeshme që dikush të rrezoj vetveten, t’i hap rrugë opozitës për zgjedhje të ardhshme”, tha ai.

Ndërkaq i pyetur nëse LDK është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, Kelmendi thotë se subjekti i tyre vlerëson se koalicioni është duke punuar mirë së bashku, duke mos pasur sipas tij nevojë që të shkohet në zgjedhje.

“LDK ka vlerësuar se jemi duke qeverisur mirë së bashku dhe nismat e zgjedhjeve që kanë filluar menjëherë pas koalicionit , nuk e paraqesin obligim për shkuarje në zgjedhje, sepse ne nuk kemi obligim më të plotësojmë dëshirat, por  liderët e koalicionit me marrëveshje dhe mbështetje ndërkombëtare munden çdo kohë ta kërkojnë vetëbesimin e qytetarëve”, shtoi ai.

Nisma për Kosovën  ditë më parë njoftoi se është duke planifikuar të nis një mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë aktuale, pasi sipas tyre është dëshmuar dështimi i tyre në shumë fusha.

Përkrahjen  e këtij mocioni mosbesimi të inicuar nga Nisma e kanë dhënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me Vetëvendosjen.

Idenë për zgjedhje të reja, PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli kishte numëruar dështimet e Qeverisë dhe të Isa Mustafës.

Dështimi i parë i Qeverisë, sipas Veselit, ishte gabimi që Qeveria bëri me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Dështimi i dytë, sipas tij, është pamundësia e koalicionit për të ratifikuar në Parlament, marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë situatë, Veseli ka përmendur zgjedhjet si mundësi për kthim në normalitet.

Exit mobile version