Site icon Prishtinapress

Zemaj: Është e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas takimit të sotëm me kryetarët e komunave, ka deklaruar se është e domosdoshme të vazhdohet me masat që janë në fuqi.

Zemaj ka shkruar në Facebook se në takimin e sotëm virtual është bërë vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend dhe është diskutuar se si do të vazhdohet në dy javët e fundit të vitit.

“Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa. Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket  mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka thënë se bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarët e komunave dhe IKSHPK-në, po koordinohen para marrjes së masave anti-Covid për fundvit.

“Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti Covid për fundvit”, ka shkruar Zemaj.

Exit mobile version