Site icon Prishtinapress

Zëdhënësi i PDK-së: Kurti shpalli dorëzimin e tij duke e bartur tërë përgjegjësinë tek Ministria e Shëndetësisë

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, sërish e ka lënë fajtor kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas gjendjes së krijuar me COVID-19, në vendin tonë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai konsideron se, Kurti ka krijuar politizim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.

Sipas tij, ishte ideja e LDK-së, për shkak të përhapjes së coroanvirusit, por që më pas Kurti e personalizoi, duke e konsideruar sulm kundër pushtetit të tij absolut që mendonte se po i rrezikohej!

“Ka disa javë që në Kosovë, patëm një politizim të panevojshëm, për masat që duheshin ndërmarrë për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë vrasëse Covid-19. Ideja për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme erdhi së pari nga LDK, partneri qeverisës i koalicionit me LVV; por Albinin Kurti, si çdo gjë dhe çdo herë në Kosovë e politizoi edhe këtë herë, në ekstrem edhe këtë masë më njerëzore për ruajtjen e jetës së njerëzve. Ai e personalizoi këtë masë, duke e konsideruar sulm kundër pushtetit të tij absolut që mendonte se po i rrezikohej”, ka thënë Bytyçi.

Më tej thekson se Kurti duke ia dorëzuar kompetencat Ministrisë së Shëndetësisë u dorëzua, pasi nuk po di si të veprojë për ta luftuar coronavrusin.

“Problemi tani është, se ky Kryeministër në ikje po e kupton çdo ditë e më tepër gabimin e tij të madh të vonesës me vetëdije për këtë gabim. Ai tani, pas gabimit të rëndë të veprimit të tij antikushtetues, nuk po di si të veprojë më tej me masat kundër pandemisë. Ndryshe, nuk mund të kuptohet konferenca e sontme për media që mbajti para pak çastesh. Në vend që të përcillte mesazh sigurie dhe vendosmërie, sonte, ai shpalli dorëzimin e tij të turpshëm, duke e bartur tërë përgjegjësinë tek Ministria e Shëndetësisë”, thotë ai.

Zëdhënësi i PDK e quan dorëzim të turpshëm e populist që nuk pranonte as ndihmë as këshillë nga askush; përkundrazi luftonte me të gjithë dhe kundër të gjithëve.

“Po çfarë mund të bëj në një shtet një ministër, apo vetëm mjekët tanë të shkëlqyer?! Ku mbeti strategjia qeverisëse që përfshin tërë mekanizmat shtetëror?! A do ta udhëheq Ministri i Shëndetësisë nga sonte Policinë e Kosovës, ushtrinë, zjarrfikësit apo tërë mekanizmin shtetëror, vetëm Ministri i Shëndetësisë?! Ky është Albin Kurti i vërtetë, i cili dijen dhe përvojën më të madhe e ka, siç e thotë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë z. Veseli, vetëm dorëzimin”, shkruan ai.

Tutje konsideron se, Kurti zyrtarisht po e lejon Serbinë të ushtrojë autoritet legal mbi komunat e Republikës së Kosovës

“Dorëzohet, çdo herë kur është rëndë. Edhe sonte ai shpalli dorëzimin, mu në mes të betejës! Ai sonte u turpërua, duke lënë në stihi dhe pa qeveri: Heronjtë tanë- punonjësit shëndetësorë;
Policinë që po rrezikon edhe pa mandat të qartë ligjor; Ushtrinë e Kosovës e ka lënë pa rol;
Ndërmarrësit privatë që janë ata që mbushin arkën e shtetit dhe po lënë në stihi sociale 280.000 punëtorë dhe familjet e tyre. I pari kryeministër që zyrtarisht po e lejon Serbinë të ushtrojë autoritet legal mbi komunat e Republikës së Kosovës, duke ua lejuar futjen e qindra njerëzve personel jo vetëm shëndetësor, nga Serbia kundër pavarësisë sonë! Dhe sonte, ai prapë na dëshmoi se nuk di çfarë të bëj më”,  shprehet ai.

Bytyçi shkon edhe më tej duke e quajtur Kurtin patriot me bateria që sipas tij nuk dëgjoi mikun më të madh të Kosovës, SHBA-në, dhe gati shkatërroi vendin.

“Atë e ka kapluar paniku i madh: në njërën anë zgjerimi i frikshëm i pandemisë vrastare dhe në të njëjtën kohë turpërimi i tij antikombëtar në veri, janë produkte të tija, të pasojave të drejtpërdrejta.

Më mirë do të kishte qenë, të dëgjonte miqtë dhe partitë në Kosovë, t’i bashkonte ata në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, se sa të përçante dhe luftonte me secilin.

Ky është Albin Kurti i vërtetë!

Ky është patrioti me bateri që gati shkatërroi Kosovën që me çdo kusht të vinte në pushtet!

Ky është Kryeministri, që kur erdhi në pushtet në mes të betejës, dorëzohet para Serbisë dhe dorëzohet para pandemisë!

Ky është ai njeri që vuri Kosovën, për herë të parë në histori kundër ShBA-së.

Me një fjalë, ky është njeriu që nuk di, nuk ka guxim dhe nuk mund ta udhëheq Kosovën”, përfundoi Bytyçi.

Exit mobile version