Site icon Prishtinapress

Zëdhënësi i PDK-së i reagon Haxhiut: Shpenzimet për të akuzuarit nga Gjykata Speciale janë të klasifikuara si sekrete

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka thënë se me një procedurë të qartë ligjore, dokumentacioni përcjellës dhe shpenzimet e mundshme për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale ishin klasifikuar si sekret.

Këtë reagim, Bytyçi e bëri pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu paralajmëroi se tashmë do të bëhet publike se sa para do të marrin nga buxheti i shtetit të akuzuarit që po qëndrojnë në Hagë.

“Fondi për mbrojtjen e të akuzuarve, ishte themeluar me qëllim që të akuzuarit potencial të mbrojnë vetën duke pasur mundësinë për një proces të drejtë e të barabartë. Dokumentacioni përcjellës dhe shpenzimet e mundshme ishin klasifikuar sekret me një procedurë të qartë ligjore. Ky klasifikim vlen vetëm për një periudhë të caktuar, pra, shpenzimet dhe çdo dokument për secilin të akuzuar, do të bëhej publike pasi procesi të këtë përfunduar, jo vetëm shpenzimet por edhe dokumentet përcjellëse do të bëheshin të qasshme”, thuhet në reagimin e Bytyçit.

Ai tha se kjo është bërë për shkak të natyrës së punës që kanë ekipi mbrojtës i tyre në Hagë.

“Arsye se pse do të duhej të ndodhte kështu, është për shkak të natyrës së punës që kanë avokatët mbrojtës, hetuesit privat, ekspertët e ndryshëm dhe në përgjithësi ekipi mbrojtës. Mbajtja konfidenciale e këtyre gjërave bazohet edhe mbi të drejtën e mbrojtjes për mjete mbrojtëse të barabarta. Mos të harrojmë se prokurori i dhomave të specializuara, ka në dispozicion një buxhet prej dhjetëra miliona euro, e mos të flas për kapacitetet humane në divizionin e tyre. Më e rëndësishmja, ligji për këtë fond dhe udhëzimet administrative ishin hartuar në koordinim të ngushtë me vendet e BE-së, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet tutje në reagim.

Bytyçi thekson se “mundësinë e mbrojtjes së barabartë dhe pafajësinë e eskponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po e sulmon Albin Kurti përmes ministres së saj të Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, vendimi është i panevojshëm, dashakeq dhe i rrezikshëm për mbrojtjen e të akuzuarve”.

“Në emër të transparencës, sot po sulmohet me vetëdije edhe dinjiteti i ushtarëve dhe themeluesve të UÇK-së që gjinden në Hagë. Gjithmonë kam menduar se ushtarët tanë të lirisë, do të duhej të shqetësoheshin vetëm për akuzat që kanë burim raportin e Dick Martyt, aty-këtu edhe ndonjë gënjeshtër nga Serbia, por asnjëherë nuk e kam pritur që ushtarët e UÇK-së do të sulmohen në këtë formë, nga zyrtarët shtetëror të Kosovës, e sidomos tani kur janë në burg”, theksoi ai.

Bytyçi po ashtu tha se “Historia ka një emër të veçantë për këta njerëz, por unë sot do të jem më i rezervuar karshi kësaj pabesie, mirëpo kjo shoqëri nuk do të harrojë që sulmet ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë së saj erdhën edhe nga disa zyrtarë shtetërorë që në emër të “transparencës” po ja bëjnë argatin armiqve të historisë sonë dhe luftës sonë çlirimtare”.

Exit mobile version