3.5 C
New York
Friday, November 22, 2024

Buy now

spot_img

Weber: Zgjedhjet e reja nuk janë në favor të opozitës

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashembullt në Kosovë dhe nëse ky vend nuk përballet sërish me zgjedhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shumë punë para vetes.

Por, edhe nëse zgjedhjet mbahen, për shkak të mospajtimeve eventuale për pozitën e presidentit, një skenar i tillë nuk është në favor të partive opozitare.

Kështu vlerëson Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin.

“Është e vështirë të supozohet se ato, (partitë opozitare) do të dilnin më mirë në zgjedhjet e reja, të cilat vetëm do të ndërprisnin formimin e Qeverisë Kurti për disa muaj, si dhe do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve, duke mbajtur zgjedhje të reja në kushte të pandemisë. Kjo vetëm do ta dëmtonte opozitën dhe përfundimi do të ishte po i njëjtë, ose Kurti do të fitonte përqindje edhe më të madhe”, ka thënë Weber në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave. Më 22 mars të këtij viti, kjo parti ka formuar qeverinë e re, me 67 vota të deputetëve të Kosovës.

Kurti e ka formuar ekzekutivin e ri me partitë e komuniteteve joserbe. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të drejtohen nga gratë.

Në mesin e sfidave të para të Kurtit është zgjedhja e presidentit të ri. Për këtë pozitë, LVV-ja, ka nominuar Vjosa Osmanin.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të kenë votë për Osmanin.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë edhe Osmani deri vonë, ka thënë se brenda ditësh do të merret vesh nëse LDK-ja do të përkrahë kandidaturën e Osmanit për presidente.

Pas një takimi të zhvilluar në mes të Osmanit dhe Abdixhikut më 24 mars, kreu i LDK-së ka thënë se vendimi për këtë gjë do të merret brenda organeve të partisë.

Kush i kontribuoi fitores së LVV-së?

Përgjatë intervistës, Weber ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë flet për ndryshimin më të madh në skenën politike të Kosovës, dhe se këtij realiteti, përveç përkrahjes ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, i kanë kontribuuar një varg çështjesh.

“Natyrisht ky është edhe rezultat i ndryshimeve të mëdha në mesin e gjeneratave të luftës dhe të atyre të pasluftës, gjeneratat të cilat e kanë formësuar politikën në Kosovë. Ndërkohë kemi pasur largimin e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit dhe largimin e pasardhësit të tij nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe largimin e Isa Mustafës nga pozita e kryetarit. Kjo është një pikë kyçe, por edhe një test i madh për LVV-në, e cila fiton pushtetin pa ndonjë parti politike të koalicionit”.

Megjithatë, Weber beson se krijimi i qeverisë nga vetëm një parti, ka krijuar dinamikë të re në skenën politike në Kosovë, por edhe pritshmëri joreale.

“Kemi pasur për një kohë të gjatë dualizmin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje rritej si parti e tretë kyçe. Kjo është hera e parë që kemi qeveri, që nuk është formuar përmes koalicionit, çka ndikon në ulje, në shkallë të madhe, të rolit të opozitës. Por kjo situatë krijon edhe pritshmëri joreale ndaj qeverisë, e cila nuk mund ta fajësojë askënd, as opozitën, apo ndonjë partnere të padisplinuar të qeverisë”.

“Duhet të definohen parimet e dialogut”

Pavarësisht pse Kurti nuk e ka përfshirë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve, në mesin e prioriteteve të qeverisjes së tij, eksperti për Ballkanin vlerëson se procesi duhet të rinisë, por fillimisht atij i duhet ndryshim në aspektin e bashkëpunimit transatlantik, pasi sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet t’ia kthejnë kredibilitetin dialogut.

“Ky proces ka prekur pikën më të ulët në katër vitet e fundit të negociatave, drejt të ashtuquajturës marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare. Kjo gjë është shkaktuar edhe për shkak të rolit negativ të ekipit të BE-së, atëbotë, (ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme) Federica Mogherinit dhe ekipit të saj, dhe marrja e rolit kyç nga administrata e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trumpit, gjë që ka diskredituar rëndë këtë proces. Ky proces do të duhej të riniste edhe nëse nuk do të ishte Qeveria e Kurtit, e cila ka mesazh të qartë se si e sheh dialogun. Duhet rifillim në bashkëpunimin transatlantik sepse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë kredibilitetin e këtij procesi. Më pas duhet të definohen edhe parimet dhe qëllimet e këtij dialogu. Këto janë detyrat e bllokut evropian dhe SHBA-së.

Sipas tij, qasja e Kurtit në krejt këtë situatë mund ta lehtësojë, por në të njëjtën kohë edhe ta komplikojë procesin.

“Parimet e tij se Serbia duhet të pranojë që Kosova është e pavarur dhe do të vazhdojë të jetë e pavarur, dhe se Kosova është palë e barabartë në negociata, ka qenë në thelb të nisjes së dialogut dhe duhet të jetë pjesë kur të rinisë procesi. Por ka edhe parime tjera. Për negociatorët perëndimorë krijohen probleme nga insistimi i Prishtinës se nuk duhet bërë kompromise tjera. Nëse kjo gjë ka të bëjë me mungesë kompromisi për statusin e Kosovës, kjo gjë është absolutisht e drejtë. Mirëpo nëse dëshironi të zhvilloni negociata me Serbinë, me qëllim përfundimtar që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, atëherë të paktën diçka simbolike duhet të ketë për Beogradin. Në këtë rrafsh nuk duhet diskutuar statusi, por çështjet bilaterale, në të cilat ka hapësirë për negociata të vërteta”.

Kërkesën e Kurtit që Serbia të përballet me të kaluarën dhe krimet e luftës të kryera në Kosovë, Weber e sheh krejt të arsyeshme nga pozicioni i Kosovës.

Mirëpo këto kërkesa, sipas tij, nuk përputhen dot me skenën politike të Serbisë.

“Fokusi duhet të jetë që Kosova të kompletojë sovranitetin, integritetin e vet territorial dhe subjektivitetin ndërkombëtar përmes njohjes nga ana e Serbisë në fund të procesit, dhe në këtë mënyrë të sigurojë edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, të cilat kanë dhënë shenja se mund ta ndjekin atë rrugë(të Serbisë)”.

“Tema e ndryshimit të kufijve nuk është në tavolinë”

Ideja që Serbia mund të marrë një pjesë të veriut të Kosovës, në këmbim të Luginës së Preshevës, është shpërfaqur fillimisht në vitin 2018.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë ndër të parët që ka përmendur këtë temë në publik, derisa edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka qenë në të mirë të korrigjimit të kufijve.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve, nëse pajtohen të dyja palët, derisa brenda vendeve të BE-së, kjo ide ka nxitur reagime pro dhe kundër.

Megjithatë, Weber beson se një gjë e tillë nuk do të kthehet më në tavolinën e negociatave. Dhe jo vetëm pse Thaçi nuk është më në pushtet.

“Çështja e ndryshimit të kufijve është flakur sapo është larguar administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe Mogherinit. Sa i përket shqetësimit se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të kthehet në instrument për autonomi rajonale apo degë e tretë e qeverisë, ky shqetësim është në tavolinë, mirëpo në dialogun që zhvillohet tani në Bruksel, thelbi i Asociacionit nuk është gjetur. Lëvizja Vetëvendosje ka pasur qëndrim të ashpër për çfarëdo forme, e lëre më substance të ndonjë Asociacioni. Jam i sigurt se kjo do të jetë pikë e vështirë për t’u negociuar”.

Për dallim nga tonet kritike për mënyrën e përfshirës së administratës Trump në procesin e dialogut Kosovë- Serbi, Weber është optimist se zgjidhje mund të këtë në kohën sa presidenti amerikan Joe Biden drejton Shtëpinë e Bardhë.

Ai shpreson që rikthimi i dialogut në një tjetër format mund të ndodhë në gjysmën e parë të këtij viti, të paktën në disa aspekte.

“Nëse definohen parimet dhe mund të rikthehet dialogu, besoj shumë se zgjidhja mund të gjendet gjatë mandatit të Bidenit”.

“Fati i liberalizimit të vizave është pasojë e dëmit kolateral”

Burime diplomatike të Bashkimit Evropian kanë thënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë se pengesa kryesore për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën vazhdon të jetë Franca, e cila aktualisht nuk e mbështet liberalizimin e vizave. Qëndrimin aktual të Francës e ka mbështetur edhe Holanda.

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash.

Megjithatë, kjo çështje ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi disa shtete nuk pajtohen për lëvizje të lirë për shtetasit e Kosovës.

Weber vlerëson se Kosova ka kryer punët e veta në këtë drejtim, në aspektin e plotësimit të kushteve.

”Më duhet të them se jam thellësisht i zemëruar. Është e turpshme se si Kosova është bllokuar në çështjen e liberalizimit të vizave, ndonëse kushtet janë plotësuar tash e disa vjet…. Fati i çështjes së liberalizimit të vizave është dëm kolateral dhe diçka që nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën. Krejt problemi qëndron te mungesa e unitetit brenda Bashkimit Evropian në çështjet e azilit dhe migrimit, andaj nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën, e cila ka kryer punët e saj. Ka pasur shenja vitin e kaluar se do të ketë përparim këtë vit, mirëpo fatkeqësisht deklaratat e fundit nga Parisi – që vazhdon të bllokojë liberalizimin – nuk kanë rritur shpresat.

Sipas tij, Qeveria e kaluar e Kosovës nuk ka qenë shumë intensive në këtë proces.

“Qeveria e Kurtit duhet të punojë shumë. Për dallim nga qeveria e kaluar, shpresoj se kjo qeveri do të ketë shtrirje më të mençur dhe më intensive te Parisi dhe të shpërfaqë situatën, sepse shumë supozime për migrim të paligjshëm, që lidhen me proces të liberalizimit, nuk janë të mbështetura në fakte, andaj këtu ka mbetur hapësirë për ngritje zëri, që nuk është mbushur nga qeveria e kaluar”, ka deklaruar mes tjerash Weber.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles