Site icon Prishtinapress

Vuqiq thotë se ka presion ndërkombëtar për Kosovën, demanton mediat serbe se Bolton do të vizitojë Beogradin e Prishtinën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka demantuar mediat serbe që ditë më parë raportuan se zyrtari i lartë amerikan John Bolton pritet gjatë këtij muaji ta vizitojë Serbinë dhe Kosovën, duke thënë se nuk beson që këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump do të udhëtojë për në Serbi.

“Prishtina zyrtare është shumë afër zgjedhjeve parlamentare, dhe po të vinte Bolton nuk do të kishte me kë të bisedojë”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një interviste dhënë televizionit serb TV Prva, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu ka folur edhe për vendimin e fundit të Kosovës siç shkruajnë mediat serbe, ku të gjithë qytetarët e Serbisë që i janë drejtuar me pasaporta pikëkalimeve kufitare me Kosovën, u është ndaluar hyrja. Por, të njëjtin fat sipas mediave serbe nuk e patën edhe ata me letërnjoftime.

“Është e qartë që qeveria serbe ka negociuar që të udhëtohet vetëm me letërnjoftim, por natyrisht se keni të drejtë të udhëtoni edhe me pasaportë”, ka shtuar Vuçiq.

Presidenti serb nuk ka hezituar të flasë edhe për atë se si vendin e tij e pret një vjeshtë e vështirë sa i përket çështjes së Kosovës.

“Tani nuk kemi me kë të bisedojmë në Prishtinë. E dyta, vazhdon të ekzistojë problemi me furnizim me artikuj të ndryshëm për qytetarët tanë atje, dhe të gjitha këto duhet t’i zgjedhim”, ka shtuar Vuçiq duke pranuar se vendin e tij e presin bisedime të vështira edhe me partnerët ndërkombëtarë, që po kërkojnë një zgjidhje dhe atë sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Kam propozuar zgjidhjen, por të gjithë e kanë refuzuar, por deri më sot nuk kam parë ndonjë ide tjetër. Fakti që e kanë refuzuar, është dëshmi se ka qenë një zgjidhje e mirë”, ka shtuar presidenti serb.

Ai ka pranuar se vendet perëndimore janë duke kërkuar përshpejtimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Ndërkaq i pyetur të komentoj raportimet se presidenti amerikan Donald Trump kërkon zgjidhjen e problemit me Kosovën, dhe kërkesën e presidentit francez Emmanuel Macron që të “përshpejtohet” procesi, Vuçiq tha se nuk është në pyetje afati por përmbajtja e marrëveshjes.

Në anën tjetër ka bërë të ditur se Serbisë është duke i kushtuar shumë mos zgjidhja e çështjes së Kosovës, duke shtuar se “nuk mund ta përshkruaj se sa shumë po i kushton”.

“Po të mos ekzistonte ky problem, do të kishin investime të drejtpërdrejta nga jashtë në vlerë prej pesë miliardë euro, por tani shtrohet pyetja nëse jemi të gatshëm ta paguajmë këtë çmim. /Telegrafi/

Exit mobile version