Site icon Prishtinapress

Vuçiqi thotë se do ta përfaqësojë Shqipërinë në takimin me Macronin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të jetë përfaqësues i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në takimet që kreu i shtetit serb do t’i zhvillojë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Vuçiqi, në një intervistë për prestigjiozen gjermane, “Der Spiegel”, ka thënë ta ketë përfaqësuar Shqipërinë edhe një takim të javës së kaluar.

“Unë kam qenë me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në samitin e Ohrit dhe ne ramë dakord për pothuajse çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macronin në emër të të gjithëve, siç bëra javën e kaluar”, tha ai në këtë intervistë, transmeton Koha.net.

Tutje, Vuçiqi foli edhe për shumë tema të tjera, ndërsa projektin për “Mini-Schengenin Ballkanik” e cilësoi si projektin më të mirë të tre dekadave të fundit.

Kur u pyet nëse edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij projekti, Vuçiqi tha: “Kosovarët nuk e dinë çfarë duan. Albin Kurti, i cili me gjasë do të jetë lideri i tyre i ri, duket dikur dëshiron të bëhet lideri i Shqipërisë së madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim asisoj. Por, ne mund të bëjmë punë të mira së bashku”.

Vuçiqi tha se qëndrimi i tij për të mos e njohur Kosovën brenda kufijve ekzistues nuk është shumë i definuar.

“Është e vërtetë se qëndrimi im nuk është i definuar qartë. Nëse do të ishte krejt e qartë, ne do t’ia mbyllnim derën çdo negociate, siç bëjnë vazhdimisht kosovarët. Dua të mbaj të hapur mundësinë e kompromisit. Dhe për këtë, unë jam i zhgënjyer nga bashkatdhetarët e mi si puna e ish-ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, që është tradhtari më i madh i të gjitha kohërave”, deklaroi presidenti serb në këtë intervistë.

Exit mobile version