Vuçiq për marrëveshjen finale me Kosovën: Më shumë presë nga administrata e Trumpit sesa nga Albright dhe Engel

0
27

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar mbrëmë se nuk është rastësi që Serbia kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shumë më shumë pret nga presidenti amerikan Donald Trump, sesa nga përfaqësuesit e administratave të mëparshme amerikane, shkruajnë mediat serbe.

Duke komentuar vlerësimet e senatorit Eliot Engel dhe Sekretares amerikane në kohën e presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, se Vuçiq po e udhëheq politikën rreth Kosovës me “grusht të hekurt” dhe se ka arritur të kthej SHBA-të kundër Prishtinës, Vuçiq tha se bëhet fjalë për njerëz shumë të rëndësishëm që e kanë sulmuar atë dhe Serbinë, duke theksuar se do të vazhdojë të luftojë për vendin e tij, transmeton Telegrafi.

“Kjo tregon se këta njerëz do të dëshironin ta shohin Serbinë duke pranuar pavarësinë e Kosovës, e të mos i kemi kërkesat tona legjitime. Nuk është aspak e rastësishme, që e kemi më të lehtë edhe pse nuk dua ta them që e kemi të lehtë, por presim më shumë nga administrata e presidentit Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, sesa nga zonja Albright dhe zotëri Engel”, ka shtuar presidenti serb.

Vuçiq ndër tjera tha se do të vazhdojë të luftojë për Serbinë, sepse tij është kjo edhe është puna e tij.

“Kurrfarë grushti nuk e kam përdorur, thjesht jam përpjekur të kem lëvizje të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, shtoi Vuçiq. /Telegrafi/