Site icon Prishtinapress

Vuçiq: Nuk na konvenojnë qëndrimet për Kosovën në Kongresin Amerikan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shpreson që administrata e re amerikane do të ketë një qëndrim të ndryshëm ndaj Serbisë dhe çështjes së Kosovës.

Ai këto komente i bëri kur u pyet nga gazetarët që të komentojë seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor që u mbajt të martën në Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në këtë seancë, ndër të tjera ka folur edhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e cila theksoi se Serbia nuk duhet të bllokojë pavarësinë e Kosovës.

Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Shtëpisë Amerikane të Përfaqësuesve, tha dje se Serbinë nuk do t’i miratohet anëtarësimi në BE, derisa të njohë Kosovën.

“Nuk është vetëm Engel, të gjithë e thanë këtë. Tani mund të shihni se sa kam pasur të drejtë, kur kam folur disa javë më parë, duke mos fshehur asgjë, pa simpati personale (për zgjedhjet e SHBA). Qëndrime të tilla nuk i konvenojnë Serbisë”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se Serbia duhet të kujdeset, sepse ata janë njerëz të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe se duhet të përgjigjet në një mënyrë të përgjegjshme dhe serioze.

Vuçiq tha se “tani është e qartë se ai kishte të drejtë kur ka folur për pasojat në Serbi të zgjedhjeve amerikane dhe shtoi se shpresonte se administrata e Joseph Biden do të ketë një pamje të ndryshme nga ajo që është paraqitur në Kongres”.

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Eliot Engel, ka thënë gjatë seancës se “administrata e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden duhet t’i rikrijojë marrëdhëniet me Kosovën në kushtet e saj”.

“Kosova është e pavarur, kjo nuk do të ndryshojë dhe se nuk ka hapa prapa, dhe se Serbia do të duhet të njohë Kosovën”, ka thënë ai.

Por, presidenti Vuçiq tha se këto qëndrime nuk shkojnë në favor të Serbisë dhe se ai “nuk do ta thotë asnjë fjalë të keqë për Albright, Engel apo Server”.

“Le të flasin keq për mua, është detyrimi im të mbrojë vendin”, tha Vuçiq.

Në seancën e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Ligjëvënsi, Eliot Engel citoi edhe fjalët e ish-zëvëndësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee, se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige: në Rusi dhe në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka importuar tanke ruse dhe ka kryer stërvitje ushtarake me ushtrinë ruse. Departamenti amerikan i Mbrojtjes na ka thënë se lëvizja e Beogradit drejt Moskës ka ndodhur kryesisht pasi presidenti [Aleksandar] Vuçiq ka marrë pushtetin. Nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe e vendeve të Atlantikut të Veriut, ajo duhet ta heqë gardhin dhe të zgjedhë rrugën perëndimore”, tha Engel.

Ndërsa ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila tha se qëllim i përbashkët i SHBA-së duhet të jetë “një Kosovë në Kombet e Bashkuara, pjesë e sistemit të rregullt ndërkombëtar dhe me të gjitha të drejtat e ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur territorin e saj”.

Kosova “nuk duhet t’i nënshtrohet vetos së Beogradit”, tha Albright.

Ajo tha se pret që njerëzit e rajonittë gjejnë një partner të gatshëm në administratën e ardhshme të Bidenit.

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer tha se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden duhet të konsultohet me evropianët dhe të paraqesë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, udhëheqja nga BE-ja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë, por në këtë proces ka nevojë që të ketë një angazhim amerikan.

Ai po ashtu shprehu nevojën e një mekanizmi mbikëqyrës për dialogut, por edhe për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, në mënyrë që ato të kenë juridiksion edhe mbi krimet e kryera në Serbi.

Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar në Uashington, në prezencën e presidentit amerikan, Donald Trump, dy dokumente të ndara, për të normalizuar raportet ekonomike.

Prishtina dhe Beogradi kanë thënë se kjo marrëveshje do të zbatohet, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Ndërkohë, të dyja vendet po vazhdojnë dialogun për normalizimin e raporteve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dialogu ka filluar më 2011. Vitet e fundit ka pasur disa herë ngecje dhe është shënuar shumë pak përparim./Telegrafi/

Exit mobile version