Site icon Prishtinapress

Vuçiq: E kemi përkrahjen e Rusisë, por mund ta humbim “luftën” për Kosovën

Presidenti i Serbisë, ALeksandar Vuçiq pak para nisjes për në Turqi, ka dhënë një intervistë për TV Pink, ku ka folur edhe për marrëveshjen finale me Kosovën.
Vuçiq ka thënë se kjo marrëveshje është shumë e vështirë, por që Serbia sipas tij e ka përkrahjen e shtetit të Rusisë.

Por, presidenti serb gjithashtu e ka pranuar se në “luftën” për Kosovën mund të dalin humbës.

“E kemi mbështetjen e Rusisë në luftën e ashpër mbi Kosovën, në të cilën edhe mund të mos jemi fitues, por ne kemi të drejtë të kërkojmë mbrojtje për popullin tonë. Dhe për këtë e kemi përkrahjen e Fedratës ruse”, tha Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas presidentit serb, arritja e një marrëveshje përfundimtare është e vështirë, duke theksuar se është i fiksuar në luftën për Kosovën.

“Shpresoj se të gjithë e duan një marrëveshje. Unë nuk jam optimist, por shpresoj se do të ishte për të gjithë ne. Unë jam i fiksuar në këtë luftë për Kosovën”, deklaroi presidenti i Serbisë.

Ai akuzoi ndërkombëtarët për politikën ndaj shtetit serb.

“Na kanë goditur politikat joparimore të ndërkombëtarëve, por edhe politika jonë e paarsyeshme”, tha Vuçiq.

Presidenti serb gjithashtu tha se pavarësia e Kosovës mori vulën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Pastaj shkuam në GJND ku në një zarf me letër u vulos pavarësia e Kosovës. Të gjithë e dinim se do të humbisnim pasi gjykatësit që vendosën ishin përfaqësues të vendeve që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Vuçiq.

Duke folur për takimin me Erdoganin, Vuçiq tha se homologu turk e ka ftuar për vizitë zyrtare.

“Presidenti turk shprehu dëshirën për të më takuar personalisht. Kjo tregon për respektin ndaj serbëve” përfundoi Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe presidenti serb pas vizitës në Turqi, do të udhëtojë për në Rusi.

Exit mobile version