Vuçiq: E ka gabim kushdo që mendon se e njohim Kosovën pa marrë asgjë në këmbim Nga K -30/07/2020 Shpërndaje në Facebook Tweet në Twitter

0
35

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot para mediave, ka folur për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe për takimet Kosovë – Serbi që po vazhdojnë edhe sot.

Vuçiq ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se në Bruksel po dialogohet për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i shtetit serb ka thënë se s’është në dijeni që po negociohet për diçka të tillë, derisa ka përmendur punën e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, ai ka thënë se është gabim të mendohet që Serbia do ta njohë Kosovën pa marrë asgjë në këmbim.

“Ne nuk dimë asgjë rreth kësaj çështjeje. Ajo që dimë është që ne duam të negociojmë për temat që janë në tavolinë, ne duam të bisedojmë rreth përmbushjes se marrëveshjeve që janë nënshkruar në vitin 2013, që është Asociacioni i Komunave Serbe.

Ne s’jemi të interesuar se çfarë është në përputhje e çfarë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ne duam biseda konkrete dhe serioze. Por nëse dikush mendo që Serbia do të jetë një ‘jackpot’, dhe që ne do të duhet ta njohim Kosovën dhe të mos marrim asgjë, e ka gabim dhe nuk do të na çojë asgjëkundi”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb përsëri ka përmendur punën e UÇK-së, duke thënë se “dëshirojnë hapjen e arkivave”.