Viti që lamë pas u karakterizua me ngjarje të shumta në sferën e sigurisë, mirëpo edhe me sfida të reja për sistemin e drejtësisë së Kosovës.
2019-ta kaloi pa u zbardhur disa nga vrasjet që tronditën Kosovën gjatë viteve të kaluara.
Lajmi.net ua sjell përmbledhjen e rasteve të vrasjeve që drejtësia nuk i zbardhi dhe rrethanat në të cilat ndodhën.
Vdekja misterioze e Astrit Dehari
Më 5 tetor të 2016-tës, ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij, ish-aktivisti i VV-së, Astrit Dehari.
Dehari në qendrën e Paraburgimit në Prizren po qëndronte nën akuzat se ishte pjesëmarrës në sulmin me zollë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.
Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, pas hetimeve të asaj kohe si dhe ekzaminimeve, kishte thënë se të gjitha provat e mbledhura të çojnë në konkludimin se Dehari ka kryer vetëvrasje.
“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, pati thënë Hoxha më 18 tetor të vitit 2016.
Në vitin 2018, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur interpelancë në lidhje me vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, kishte kërkuar shkarkimin e ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, zyrtarëve policorë, të cilët, siç thoshte ai, kanë qenë përgjegjës në ditën kur ka vdekur Astriti.
“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë pra me 5 nëntor 2016 Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që ishte gjetur aty, për katër minuta njeriu vdesë katër herë”, kishte thënë Kurti.
Derisa, Lëvizja Vetëvendosje kërkonte shkarkimin e Dhurata Hoxhajt dhe tërë atyre që i konsideronin përgjegjës për vdekjen e Astritit, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, theksoi se deri në një vendim final nuk do të ndalet për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.
“Që nga java e parë e marrjes së detyrës, rastit të Astrit Deharit i jam qasur me seriozitet, për aq sa kam mandat institucional dhe ligjor. Më datën 27 shator të vitit 2017, i kam dërguar letër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit ku kam shprehur gatishmërinë time të plotë që të ofrojë ndihmën e nevojshme institucionale dhe financiare për realizimin e ekspertizës brenda dhe jashtë shtetit”, kishte thënë Tahiri.
Ndërsa, në javën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës i përcolli Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë rezultatet për autopsinë e ish- aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit. Ata përveç kësaj kërkuan edhe disa detaje shtesë për testimin e ADN-së.
Më 24 tetor të këtij viti kishte arritur ekspertiza nga Zvicra.
I njëjti raport kishte sqaruar se në rrethanat e analizuara, nuk mund të përjashtohet edhe fakti se Astrit Dehari mund të jetë vrarë.
Menjëherë pas pranimit të raportit, në lëvizje është vënë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, teksa gjatë ditëve të fundit janë intervistuar disa dëshmitarë për rastin.
Përveç këtyre zhvillimeve, rasti i Astrit Deharit vazhdon ende të jetë një mister për të afërmit e tij, mirëpo edhe për vet qytetarët e Kosovës.
Vrasja e Elvis Pistës
Ishte nata mes 14 dhe 15 qershorit të 2014-tës kur kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elvis Pista ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Në natën kritike, Pista do të dilte bashkë me miqtë e tij (gruan, shokun e tij dhe bashkëshorten e shokut), nga një aheng të mbajtur në vendin e quajtur “Jaha Petrol”, nga ku më pas ishte qëlluar me armë zjarri nga diku rreth 7 metra largësi, shkruan lajmi.net.
Në ditën kritike, personave që ishin bashkë me të s’do t’u jepej përshtypja se Elvis Pista është qëlluar me armë zjarri, ndërkaq që sipas kallëzimit penal të Policisë ata fillimisht kishin menduar se krismat vijnë nga ndezja e fishekzjarrëve por, që ato nuk ishin fishekzjarrë.
Ato ishin katër të shtëna të një arme të kalibrit 7.65 milimetra që besohet të ketë pasur edhe shurdhues të zhurmës.
Këto të shtëna do të ishin fatale për Elvis Pistën që ndërroi jetë në orët e para të datës 15 qershor të 2014-tës.
Nga Prokuroria e Gjakovës kishin bërë të ditur se megjithëse janë bërë pesë vite nga nisja e hetimeve pas ndodhisë, nuk ka asnjë të dyshuar ose ndonjë provë të re.
“Në hetimet e kryera deri më tani, ende nuk është arritur që të gjendet kryerësi apo kryerësit e mundshëm të vrasjes”, kishin deklaruar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Tutje, nga prokuroria kishin thënë se deri tani, nuk është arritur të sigurohet ASNJË provë e re për zbardhjen e rastit, teksa hetimet vazhdojnë.
“Po ashtu deri më tani, nuk kemi arritur të sigurojmë ndonjë prove të re në zbardhjen e rastit. Rasti ende vazhdon të jetë në hetim”, kishin thënë tutje nga kjo prokurori për lajmi.net.
Familjarët e Pistës për lajmi.net rrëfyen se rasti është neglizhuar tej mase nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Hidija Pista, nëna e Elvis Pistës thotë të kenë kërkuar që rasti të kaloj në Prokurorinë Speciale, mirëpo se për këtë kërkesë nuk janë mirëpritur.
“Ju e dini që rasti trajtohet nga Prokuroria e Gjakovës. Me vajzën time, Beatrisën kemi qenë tek prokurori Ali Ukaj për të tërhequr lëndën dhe ta dërgojmë në Speciale, mirëpo nuk jemi mirëpritur për këtë”, tha ajo.
Hidija Pista thotë se vajza e saj, Beatrisa ka pasur aksident dhe se nuk ka mundur ta dërgojë kërkesën me shkrim në Prokurori, teksa thotë se hetuesit e rastit e kanë ndërruar sektorin.
“Vajza ka pasur aksident dhe nuk iu është drejtuar me shkrim. Ndërkohë, nga hetuesit e rastit të krimeve të rënda nuk ka as edhe një lëvizje as informacion për përparim të rastit. Ne kemi kontaktuar me hetuesit e krimeve të rënda, ndërsa ata fatkeqësisht pas katër vitesh janë pozicionuar, disa kanë kaluar në krime ekonomike e disa në krime lufte. E që dy vite nga hetuesit e rinj nuk ka as edhe një thirrje”, vazhdon rrëfimin nëna e Elvisit, Hidija.
Për Elvis Pistën që ishte kandidat për deputet nga radhët e PDK-së ende nuk ka drejtësi, teksa autorët e vrasjes së tij janë ende në liri.
Vrasja e ish-liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq
Më 16 janar do të bëhen dy vite që kur ish lideri serb i SDP-së, Oliver Ivanoviq ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Ivanoviq ishte qëlluar më 16 janar të 2018-tës para zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Rasti, disa muaj pasi kishte ndodhur ishte marrë në dorë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Gati dy vite me polemika mes shtetit të Serbisë dhe Kosovës, përfunduan më 2 dhjetor me aktakuzë të ngritur ndaj gjashtë personave nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Veprat e tyre të dyshuara penale përfshijnë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Sidoqoftë, Prokuroria Speciale e Kosovës s’do të mund ta dërgojë në Gjykatë të dyshuarin kryesor të këtij rasti, Milan Radojiçiq.
I njëjti ndodhet në arrati që kur shteti i Kosovës kishte filluar hetimet ndaj tij, si i dyshuar kryesor për kryerjen e vrasjes.
Radojiçiq dyshohet se bashkë me grupin e tij kishin urdhëruar vrasjen e Ivanoviqit, mirëpo edhe vrasje të tjera në rajonin e veriut.
Ai njihet si “bosi” i krimit në veri, teksa edhe vetë prokurori special, Sylë Hoxha e kishte pranuar se Radojiçiq ka lidhje të forta në Policinë e Kosovës.
Fundi i 2019-tës,vrasjen e Oliver Ivanoviqit e gjeti pa një epilog final, apo verdikt të gjykatës teksa të dyshuarit kryesor mbesin në arrati.
Vrasja e Shani e Bahri Malokut
Ishte 9 marsi i vitit 2018 kur në shtëpinë e tyre, me armë zjarri ishin qëlluar dy vëllezërit nga Plloqica e Malishevës, Shani e Bahri Maloku.
Të akuzuar për këtë rast ishin edhe Besim e Blerim Maloku, ndaj të cilëve Gjykata mori vendim më 14 nëntor të 2019-tës.
Besim Maloku, që akuzohej për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, ishte shpallur i fajshëm nga Gjykata.
Vepra e vetme për të cilën ai do të vuajë dënim është armëmbajtja pa leje, për të cilën gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë 20 muaj në burg.
I akuzuar në këtë rast ishte edhe Blerim Maloku, teksa vepra penale me të cilën ai ngarkohej ishte “armëmbajtje pa leje”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Blerim Maloku është dënuar me nëntë muaj burg për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.
Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes, duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku, kanë ikur nga vendi ngjarjes.
Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohej se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.
Me shpalljen e pafajësisë, vrasja e dy vëllezërve Maloku nga Malisheva vazhdon të jetë e pazgjidhur.
Vrasjet politike të pasluftës që sfiduan drejtësinë kosovare
Më 23 nëntor 2001, u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë edhe vrasja e Mustafës hynë në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.
Më 24 prill 2001, vritet Ismet Rraci kryetar i Komunës së Klinës e i degës së LDK në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.
Në një atentat në tetorin e 2001-ës, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.
Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar. Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.
Më 27 tetor 2002, vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK në këtë komunë.
Më 4 janar 2003, vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.
Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit.
Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.
Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ishte shprehur i bindur se komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha- Drini është vrarë për arsye politike. Ai madje kishte thotë se vrasësit e “Drinit’ “janë në mesin tonë”.
Gjykatat dhe Prokuroritë në Kosovë jo rrallë herë janë akuzuar për neglizhencë dhe jo efikasitet në trajtimin e lëndëve.
Gjatë këtij viti, gjykatat në Kosovë kishin shpallur edhe dënime me burgime të përjetshme për rastet e vrasjeve.
I tillë ishte edhe dënimi ndaj Pjetër Nrecajt, që akuzohet për vrasjen gruas dhe vajzës së tij.
Edhe për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në Deçan, gjykata kishte shpallur dënim të përjetshëm për Naser Pajazitajn, që është kushëriri i viktimës.