Votohet mocioni – bie Qeveria Kurti

0
19

Pas një debati të gjatë dhe me tensione, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër votuan 36 deputetë dhe një prej tyre abstenoi.

Tre deputet nga LDK nuk e votuan mocionin e mosbesimit. Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.

Ndërkaq, kjo nuk është hera e parë që Kuvendi i Kosovës rrezon qeverinë nëpërmjet mocionit të mosbesimit.

Rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2010, kur vetë PDK kishte prishur koalicionin që vet e drejtonte, po ashtu dhe në vitin 2017, ishte rrëzuar ‘Qeveria Mustafa’.

Kriza qeveritare mes LVV-LDK-së erdhi në kohën kur e gjithë bota përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër coronavirusit të ri.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja që tarifa të shfuqizohet, kryeministri Kurti mori vendim që ta heqë pjesërisht atë, duke nisur me lirimin nga tarifa të lëndës së parë që importohet nga Serbia.

Por, kjo masë ishte e pamjaftueshme për LDK-në e cila kërkoi që tarifa të hiqet plotësisht.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.