Lidhja Demokratike e Kosovës po refuzon që t’ia përcjellë kryeparlamentares Vjosa Osmanit emrat e atyre që votuan pro, kundër, dhe abstenuan për shkarkimin e saj nga posti i nënkryetares. Se kryetarja e Kuvendit nuk e ka marrë listën e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga kabineti i saj. Në LDK ndërkaq thonë se nuk deklarohen për këtë temë.
70 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, kishin votuar pro shkarkimit të kryeparlamentares Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares së partisë e anëtares së Këshillit.
Nga ky organ, kishte edhe anëtarë që kanë abstenuar e votuar kundër.
LDK’ja përmes një komunikate të lëshuar me datë 20 qershor përveç se bëri të ditur se Avdullah Hoti e merr pozitën e Osmanit si nënkryetar i ri i partisë, ka treguar edhe votat e atyre që nuk ishin pro që kryeparlamentarja të përjashtohet nga këto dy pozita të rëndësishme brenda subjektit.
“Sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, kishte bërë të ditur LDK’ja.
Pak ditë pas këtij njoftimi, ish’nënkryetarja e LDK’së iu ishte drejtuar me anë të një letre Lidhjes Demokratike.
Osmani ka kërkuar edhe zyrtarisht nga Lidhja Demokratike që t’i përcjellin dokumentacionin e lëndës për shkarkimin e saj, përfshirë aty rezultatet e votimit dhe evidencën e votimit të të gjithë anëtarëve të Këshillit.
“Konkretisht, kërkoj që të më vihet në dispozicion lista e plotë e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, meqenëse e njëjta nuk është e publikuar askund; emrat e anëtarëve të KP që kanë votuar për, kundër ose abstenim, si dhe emrat e atyre që nuk kanë marrë pjesë fare në votim”, kishte shkruar Osmani, në letrën e drejtuar për kryesinë e partisë.
Pavarësisht kërkesës, në partinë e Isa Mustafës ende nuk iu janë përgjigjur Osmanit. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, këshilltari për media i kryeparlamentares, Bekim Kupina.
“Deri tash, zonja Osmani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga LDK-ja”, ka deklaruar ai për Gazetën.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës në anën tjetër, nuk pranojnë të deklarohen për këtë temë. Nga zyra për media sot gjatë ditës kanë deklaruar për Express se nuk flasin për këtë çështje.
Për kërkesën e Osmanit, ishte deklaruar edhe kreu i partisë, Isa Mustafa. Në një përgjigje për Express, Mustafa kishte deklaruar se një letër e tillë nuk është dërguar në adresë të Kryetarit të partisë dhe se Kryesia e LDK’së nuk është adresa që mund t’i bëjë zgjidhje Vjosa Osmanit për kërkesën e paraqitur.
Ai kishte thënë se Osmani duhet të drejtohet te ai për të ditur rezultatet e votimit, e se kreu i LDK’së, do ta udhëzonte se si të vepronte.
Marrëdhëniet e Vjosa Osmanit me LDK’në ishin acaruar edhe më shumë kur e njëjta kishte votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, të iniciuar nga Lidhja Demokratike.
Në ditën e votimit të Qeverisë Hoti, Osmani kishte vendosur që të mos e udhëhiqte seancën, duke e thirrur këtë qeveri jolegjitime./GazetaExpress/