Site icon Prishtinapress

Vizita e diplomatit amerikan me mesazhe të qarta për Kosovën

Sot në Kosovë po qëndron Ndihmës Sekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell. Ai së pari u takua me presidentin Thaçi ku edhe mbajti një konferencë për media. Kurse takim zhvilloi edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, por me dyer të mbyllura.
Nga konferenca me presidentin Thaçi, diplomati amerikan u tregua i prerë për temat e mëdha që po cilësohen në Kosovë.

Mitchell kërkoi nga presidenti që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë, duke mundësuar integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar “planin amerikan” që u shpik nga mediat serbe, diplomati amerikan deklaroi se është vetëm spekulim, dhe se në Ballkan po vjen për ta shtyerë përpara dialogun, dhe jo të paraqes plane.

“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell.

I drejtpërdrejtë Mitchell u tregua edhe për çështjen e Demarkacionit. Ai kërkoi nga partitë në Kosovës që kjo marrëveshje të ratifikohet për t’i hapur rrugën liberalizimit të vizave.

Ndihmës Sekretari amerikan bëri të ditur se me Thaçin diskutuan edhe për Ushtrinë.

Ai i dërgoi mesazh të qartë Beogradit, se për Ushtrinë e Kosovës askush nuk do të mund të vë veto.

“Kemi folur edhe për çështjen e sigurisë dhe i kam siguruar presidentit se askush nuk do të vë veto në çështjen e sigurisë. Amerika e ka mbështetuar nga afër transformimin e FSK-së dhe do ta mbështesë në të gjitha nivelet. Në Beograd e dijnë pozicionin e SHBA-së për këtë çështje”, tha Mitchell.

Wess Mitchell kërkoi që Kosova të vazhdojë edhe luftën ndaj korrupsionit.

Ai përfundoi fjalën e tij duke thënë se në gjithë këtë rrugë të gjatë, Kosova dhe Amerika do të jenë bashkë si partner të përhershëm.

Pas Thaçit, diplomati amerikan pati një takim edhe me kryeministrin Haradinaj, por që u zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ndiqeni raportin e përgatitur nga Lajmi.net për gjithë vizitën e Mitchell në Kosovë.

Exit mobile version