Site icon Prishtinapress

Vitia jep lajmin e mirë: Tregon se kur vijnë vaksinat anticovid

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e situatës me pandeminë, ka vazhduar me akuza e kundër akuza ndaj pozitës dhe opozitës, derisa u tha se vaksinat do të sigurohen brenda disa dite.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën parlamentare që po zhvillohet, tha se Kurti gjen kohë për gjithçka tjetër por jo për vaksinë.

Ai tha se është normale që vendet janë në garë për vaksinë, pasi janë në luftë për të shpëtuar jetë.

“Ne nuk jemi askund, as në garë për sigurim të vaksinës, as në garë për trajtim më të mirë të pacientëve tanë, pra shihni vdekjet në republikën tonë dhe mbateni statistikat me vdekjet në rajon, vdekshmëria te ne është më shumë se 90 përqind, shikone Maqedoninë, shikone Shqipërinë më pak se 50 përqind, kjo është tmerr dhe është përgjegjësi e kësaj qeverie, vendi qeveriset konfrom rrethanave të reja që ka krijuar pandemia dhe jo siç të teket ty”, tha ai.

Ai kritikoi kryeministrin Kurti se gjatë 20 minuta fjalim, foli vetëm një minutë për vaksina, derisa ka përmendur numrin e personave të vdekur.

Sipas tij, ministri Arben Vitia do të duhej të jepte dorëheqje pasi si rezultat i masave anti-kushtetuese të vendosura nga ai, ka humb jetën Agon Musliu.

Menjëherë ka reaguar ushtruesja e detyrës së kryetares së grupit të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, gjë që e kundërshtoi Abelard Tahiri, duke thënë se Kusari-Lila po manipulon sepse nuk ia ka përmendur emirin.

Kusari-Lila tha se nga 14 mijë raste aktive, sot janë vetëm 11 mijë raste.

“E kam udhëheq komisionin hetimor dhe i kam pa manipulimet që janë tentu të bëhen dhe asnjë fakt i vetëm nuk e tregon që djali për arsye të keq menaxhimit, e kundërta është e dhimbshme që ne si shoqëri e trajtojmë shëndeti mendor, e sot keni fytyrë me dal emrin e tij, a nuk është boll, çka tjetër 30 përqind ka rënie të rasteve për vetëm një muaj “, tha ajo

Sërish ka reaguar Tahiri.

“Me iu duartrokit atyre që e amnistojnë vrasjen Agon Musliut, është turpi më i madh që mundet me ndodh në një parlament dhe kjo ndodhë veç me Lëvizjen Vetëvendosje, pra kur është bërë ministër Arben Vitia, një ditë më parë numri i testimeve në ditë ka qenë 5049, sot është 1559, kjo është qeveria efikase. Edhe sot e kësaj ditë ju keni punu dhe jeni angazhuar që ta pengoni hetimin për vdekjen e Agon Musliut, prandaj ju jeni përgjegjës, qeveria Kurti dhe Arben Vitia, sot e kësaj dite do të mbahen përgjegjës për vdekjen e Agon Musliut, kjo është e tmerrshme”, tha ai.

Kurse, ministri Vitia tha se nuk do të dështojnë në sigurimin e vaksinave.

“Po bre nuk kemi vaksinë, po bre nuk kemi as barna. Janë 30 ditë që kemi ardhur dhe mund të iu garantojë që nga dita e parë është bërë intensifikimi i procesit për sigurimin e vaksinave ka marrë një rrugë tjetër. Dhe mund të iu shumë shpejt, keni veç pak durim, shumë shpejt do ta dini çfarë ka bërë Arben Vitia kur të përfundoj i gjithë procesi……fatmirësisht fal miqve tanë ndërkombëtar dhe fal dinamizmit të procesit nga Kurti dhe Osmani, tash jemi në rrugë të mirë që sa më shpejt dhe doza shumë më të mëdha, ti sigurojmë dhe ju garantojë se nuk do të dështojmë se këtë ia kemi borxh, e kemi obligim ndaj qytetarëve”, tha ai.

Ndërsa, Abelard Tahiri i tha ministrit Vitia që mos të thotë se duhet të ketë durim sepse është e pamoralshme të thuhet kur çdo ditë vdesin njerëzit. Ai kërkoi që sigurimi i vaksinës të jetë prioritet mbi prioritetet i Kurtit dhe Vitisë.

Ministri Vitia tha se po kërkon durim për pak ditë.

“Po mund të thoni që keni durim, është jo mirë të themi tani dhe mund të keqkuptohet, mirëpo Zoti Tahiri unë nuk po iu flas për durim një mujor, as nuk po iu flas për durim dy mujor, për pak ditë zoti Tahiri“, tha ai.

Ai shtoi se negociatat për vaksina kanë filluar vonë.

Seanca vazhdon nesër në orën 15:00.

Exit mobile version