Site icon Prishtinapress

Vit i kobshëm, 126 viktima trafiku në 2018-n

Viti që lamë pas ka qenë një vit i kobshëm sa i përket humbjes së jetëve në trafik.Sipas policisë së Kosovës, gjatë 12 muajve të kaluar nga 15 mijë e 601 aksidente sa kanë ndodhur gjithsej, me fatalitet kanë qenë 97 ku kanë humbur jetën 126 persona, shkruan Indeksonline.

Në mesin e atyre që humbën jetën në trafik ishin edhe mërgimtarë.

Rasti më i rëndë ishte ai i 32-vjeçarit, Jeton Sadikaj i cili humbi jetën së bashku me 4 anëtarët e tij të familjes në një aksident trafiku që ndodhi në Duhël të Suharekës.

Sadikaj i cili në veturë ishte me nënën, gruan dhe 2 fëmijët e tij u përplasën me një autobus.

Gjatë muajit nëntor, aksidenti mori jetën e katër familjarëve në magjistralen Prishtinë-Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor, pasi u aksidentuan me eskortën e ambasadës së Turqisë, ku ishte e përfshirë edhe një veturë tjetër.

Aksidenti fatal ishte edhe për dy vajza nga Prishtina, njëra 31 vjeçare dhe tjetra 23, të cilat u goditën nga një veturë në “Rrugën B”.

Ndërsa në natën e fundit të vitit 2018 ndodhi edhe një aksident i rëndë në Penuh të Podujevës, ku mbeti e vdekur një 32 vjeçare.

Policia për Indeksonline ka thënë se u bëjnë thirrje gjithë pjesëmarrësve në trafik për kujdes të shtuar, sidomos drejtuesve të automjeteve.

“Policia e Kosovës duke përcjellë në vazhdimësi ndryshimin e kushteve atmosferike dhe gjendjen e sigurisë së qytetarëve tanë, e posaçërisht gjendjen nëpër rrugët e vendit, kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, ne veçanti drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi trafikun rrugor, prandaj keni kujdes sepse me vigjilencën tuaj ju mund t’i zvogëloni pasojat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Duhet cekur se numri i të vdekurve në komunikacion gjatë vitit 2018 ishte më i ulët se në vitin 2017, ku mbetën të vdekur 137 persona.

Ndryshe, gjatë vitit 2018, policia gjithashtu ka shqiptuar edhe qindra mijëra tiketa.

Sipas tyre, gjatë vitit që lamë pas, deri në nëntor janë shqiptuar 373 mijë e 814, e që janë afër 2 mijë tiketa më shumë të shqiptuara se gjatë vitit 2017.

Exit mobile version