Site icon Prishtinapress

Viktima e 18-të në vendin e punës, ku janë inspektorët?!

Dita e sotme ka filluar me lajmin për humbjen e jetës së një punëtori tjetër të sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku një person i moshës 45 vjeçare ka vdekur në vendin e tij të punës.

Sipas të dhënave të para, del që personi në fjalë ishte duke punuar në fasadimin e objektit 7 katësh, punë kjo që rezultoi të jetë fatale për të.

Rasti është përcjell direkt edhe nga ekipi i “Indeksonline”, ku raportohet që menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet kompetente.

Incidenti i sotëm qon në 18 numrin e punëtorëve të ndërtimtarisë, të cilët kanë humbur jetën në vendin e punës brenda harkut kohorë janar-tetor 2018. Si rrjedhojë, kuptojmë që masat e marra nga Inspektorati i Punës ndaj kompanive kosovare nuk kanë dhënë efektet e duhura.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi në një prononcim të tij për “Indeksonline” pati theksuar se vetëm gjatë vitit 2018 kanë vdekur 17 persona në vendin e punës.

“Në këtë vit, fatkeqësisht, sipas statistikave tona kanë ndodhur 15 aksidente në vendin e punës me fatalitet,  dhe dy në vendin e punës të klasifikuara si vdekje natyrore” pati thënë ai.

Ibrahimi kishte bërë me dije se gjatë këtij vitit në këtë institucioni është rritur edhe numri i ankesave, duke arritur në 764 ankesa. Por rritjen e numrit, ai e kishte konsideruar si ngritje të vetëdijes së punëtorëve dhe rritje e besueshmërisë në inspektoratin e punës.

“Numri i përgjithshëm i inspektimeve në këtë 8 mujor është: 6205, prej këtyre 1829 vërejtje (inspektime të përsëritura) që do të thotë në këto kompani gjatë inspektimit kemi vërejtur parregullsi. Në këtë periudhë kemi pas 764 ankesa të palëve dhe 126 inspektime të përbashkëta me institucionet tjera (kryesisht me policinë)

Në krahasim me vitin e kaluar ,në të njëjtën periudhë, i kemi 1000 inspektime më shumë dhe të dyfishuar numrin e ankesave. Sa i përket ankesave, ne besojmë se është ngritje e vetëdijes së punëtoreve dhe ngritja e besueshmërisë në Inspektoratin e Punës” ka thënë kryeinspektori Ibrahimi.

Se parregullsitë janë  vlerësuar si të evituar e kishte konfirmuar vetë kryeinspektori Basri Ibrahimi, duke nënvizuar se nga 1829 raste të kompanive me parregullsi, Inspektorati i Punës ka konstatuar se pjesa më e madhe e kompanive i kanë eliminuar ato.

“Ne gjatë inspektimeve kemi konstatuar se në 1829 raste ka pas parregullsi por gjatë ri inspektimit është konstatuar se në pjesën më të madhe të kompanive janë eliminuar parregullsitë. Ndërsa për shkak të mos eliminimit të parregullsive janë shqiptar 206 gjoba” ka thënë ai.

Rikujtojmë që me datën 24 shtator, pra para më pak se dy jave pati humbur jetën edhe një 53 vjeçar, pasi kishte rënë nga skelet në vendin e tij të punës.

Exit mobile version