Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për thirrjen e kryeministrit Hoti në interpelancë, lidhur me tërheqjen e masave të reciprocitetit të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë.
Reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Kështu thuhet në njoftimin për medie të LVV-së, ku ndër të tjera theksohet se “Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror”.
“Reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke. Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime. Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”, thuhet në njoftimin ë LVV-së.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së shtunës ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Kryeministri Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shtunën më 6 qershor, në një konferencë për media, ka thënë se i kanë hequr të gjitha pengesat me Serbinë, për të rifilluar procesin e dialogut.