Site icon Prishtinapress

Veseli: Vonesat në testime do të na kushtojnë shumë shtrenjtë, jo vetëm në jetë njerëzish por edhe në dëm ekonomik

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar fabrikën “Elkos në Pejë.

Veseli thënë se duhet që sa më parë edhe kompanitë e tjera private të kenë mundësi të rikthehen në punë në mënyrë që ekonomia jonë të vihet sërish në lëvizje.

“Sot vizitova fabrikën “Elkos” në Pejë ku bisedova problemet aktuale të ekonomisë e bisedova për pakon e shpëtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike që ka propozuar PDK-ja. Jam i gëzuar që kjo kompani vazhdon të prodhojë ndërkohë që punonjësit janë duke zbatuar maksimalisht masat mbrojtëse. Mirëpo duhet që sa më parë edhe kompanitë e tjera private të kenë mundësi të rikthehen në punë në mënyrë që ekonomia jonë të vihet sërish në lëvizje. Prandaj ne kemi nevojë urgjente për një fushatë gjithëpërfshirëse testimesh që të identifikojmë sa më shpejt ata që janë të infektuar, në mënyrë që t’i izolojmë të kujdesemi siç duhet për ta”, thotë Veseli.

Ai ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të kryejnë sa më shumë teste, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen të gjithë personat e infektuar me coronavirus.

Veseli ka theksuar se çdo vonesë e mëtejshme me testimet do të na kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në dëm të pallogaritshëm ekonomik.

“Ne e kemi përsëritur shumë herë muajin e fundit, nevojën për më shumë testime si rekomandim i OBSH-së por edhe si përvojë e vendeve që kanë pasur sukses në luftën kundër pandemise. Qeveria e Kosovës ende po mban një nivel shumë të ulët të testimeve krahasuar me vendet e tjera të Evropës. E gjithë kjo periudhë izolimi ka kuptim nëse kjo kohë përdoret për të testuar masivisht për të identifikuar edhe të infektuarit që nuk shfaqin simptoma. Çdo vonesë e mëtejshme me testimet do të na kushtojë shumë shtrenjtë jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në dëm të pallogaritshëm ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook.

Exit mobile version