Site icon Prishtinapress

Veseli thotë se situata është alarmante, propozon pako ekonomike prej së paku 300 milionë euro

Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se një pako emergjente financiare prej së paku 300 milionë euro i duhet menjëherë Kosovës. Kjo pako, sipas tij, duhet të shkojë në ndihmë për sektorin privat.

Madje, në një postim në Facebook ai e ka quajtur situatën alaramente. Pikërisht për këtë, ka thënë ai, ka marrë iniciativë që të thirrë një seancë të jashtëzakonshme. Veseli sot takoi edhe përfaqësuesit e bizneseve.

“Sot pata një takim me drejtuesit e odave kryesore ekonomike të Kosovës për të diskutuar mbi kërcënimet që po i vijnë ekonomisë sonë prej pandemisë. Prej tyre mësova se mbi 60 mijë biznese dhe mbi 280 mijë punëtorë të sektorit privat janë pranë kolapsit ekonomik dhe kanë nevojë imediate për mbështetjen e shtetit. Iu tregova se PDK-ja ka disa javë që ka propozuar një pako emergjente, prej së paku 300 milionë euro, për të stimuluar ekonominë dhe ndihmuar punëtorët e sektorit privat.

Qeveria në ikje ka folur për një propozim të vonuar, të pamjaftueshëm të cilën po përpiqet ta kalojë në mënyrë të paligjshme duke anashkaluar detyrimin kushtetutes për të kaluar në kuvend ristrukturimin e buxhetit.

Nuk ka më kohë për të humbur, gjendja është alarmante të gjitha vendet e Evropës e kanë tashmë në veprim plane emergjente ekonomike për situatën. Prandaj, si lider i opozitës, do të marr iniciativën për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku do të mund të hartojmë bashkarisht një pako të plotë e gjithëpërfshirëse për shpëtuar ekonominë të cilën mandej ta votojmë e vëmë në zbatim menjëherë”, ka shkruar Veseli.

 

Exit mobile version