Ai tha se përmes agjërimit, ne jemi më afër Zotit dhe më afër njëri-tjetrit, ndërsa dëshmojmë se forca shpirtërore është më e madhe se interesat materiale.
“Besimi është forca shpirtërore që mposhtë etjen dhe urinë. Është forca që mposhtë pengesat dhe dëshpërimin që shpesh herë i sjellin sfidat e jetës. Është shpresa për të ardhmen, që i bën njerëzit e popujt të qëndrueshëm përballë sfidave të historisë”, theksoi Veseli. Ai shtoi se populli ynë e njeh më së miri forcën e besimit. Veseli tha se duke besuar te liria, ia arritëm asaj.
“Ne besuam te shteti dhe sot e kemi shtetin e pavarur dhe sovran. Ne besojmë tek e ardhmja jonë euro-atlantike dhe do t’ia arrijmë asaj. Të gjithë së bashku, si komunitete dhe bashkësi fetare jemi të përkushtuar për vendin dhe të ardhmen e tij”, tha kryetari i Kuvendit.
Veseli tha se Bashkësia Islame e Kosovës historikisht ka qenë një institucion në shërbim të atdheut e kombit, dhe e e tillë është edhe sot. Në vazhdim, kryetari i Kuvendit të Kosovës kujtoi hoxhallarët që në kohë e rrethana të ndryshme, kontribuuan e dhanë jetën për lirinë e kombin tonë, që nga Haxhi Zeka, Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Ilaz Broja e deri tek 37 hoxhallarët që ranë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne kurrë nuk do ta harrojmë sakrificën e tyre dhe duke u nisur nga kjo, do të punojmë pandërprerë për ta bërë të sigurt lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës në këtë tokë të bekuar nga Zoti”, theksoi kryeparlamentari Veseli.