Site icon Prishtinapress

Veseli merr mbështetjen e Senatit të Belgjikës për integrimet evropiane të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në Bruksel kryetaren e Senatit të Belgjikës, Christine Defraigne, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Kryeparlamentari Veseli e njohu homologen belge me angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit euro-atlantik, reformat në drejtësi, administratë publike dhe veçmas për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, thuhet në njoftim.

Megjithëkëtë, Veseli theksoi nevojën e përkrahjes së shteteve mike, në këtë rast të Belgjikës, për t’i dhënë këtij procesi epilog pozitiv dhe të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, brenda këtij viti.

“Mbretëria e Belgjikës e mbështetë Kosovën në të gjitha proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në takim me kryetaren e Senatit e njoftova atë se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe në rrafshin e brendshëm po bën reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik”, theksoi Veseli.

Kryesenatorja belge, Christine Defraigne, nga ana e saj, i dha mbështetje të plotë kryeparlamentarit Veseli dhe institucioneve të Kosovës në angazhimin dhe punën e tyre për përmbushjen e reformave të nevojshme në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillim më të madh ekonomik.

Ajo konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në të gjitha proceset që lidhen me të ardhmen euro-atlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Të dy homologët u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe Belgjikës mund të avancohet më tej, sidomos në rrafshin ekonomik.

Exit mobile version