2.5 C
New York
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Veseli: Kuvendi ka realizuar 98 për qind të agjendës

Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme me të cilat është ballafaquar Kuvendi i Kosovës, gjatë këtij viti ai ka përmbushur, si asnjë institucion tjetër shtetëror, agjendën e vet, duke nxjerr ligje të rëndësishme për jetën e qytetarit, sikurse janë Ligji për Trepçën, ose Ligji për Obiliqin, ka thënë në një intervistën për Telegrafin, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Sipas tij, mosmarrëveshjet janë të natyrshme në sistemin politik demokratik, mirëpo këto te ne janë shoqëruar me kundërshtime të dhunshme. Veseli po ashtu tha se opozita është vetëdijesuar se nuk do të arrijë asgjë me dhunë e agresivitet, ndaj i janë kthyer rrugës institucionale.

Ai gjithashtu tha se me rëndësi për këtë vit është miratimi i Ligjit për Demarkacionin, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik të Kosovës. Ndërsa, sa i përket polemikave për këtë vit, se a do ketë zgjedhje apo jo, ai tha se si drejtuesi i partisë më të madhe në vend, opozita nuk do t’ia dalë t’i detyrojë të heqin dorë nga mandati që i është dhënë nga populli, me një shumicë dërrmuese votash.

Telegrafi: Viti 2016 është shoqëruar me shumë mosmarrëveshje. Si i vlerësoni zhvillimet në Kuvend, gjatë këtij viti?

Veseli: Mosmarrëveshjet janë të natyrshme në sistemin politik pluralist demokratik dhe madje është e shëndetshme që të ketë sa më shumë konkurrencë. Problemi ka qenë se, në pjesën e parë të këtij viti, këto kundërshti kanë qenë të dhunshme me gaz lotsjellës e molotov, me sulme të drejtpërdrejta ndaj institucioneve demokratike të shtetit. Kjo nuk është mënyra se si zgjidhen mosmarrëveshjet. Unë që në fillim të sulmeve të dhunshme të opozitës kam ndjekur rrugën e durimit dhe të vetëpërmbajtjes, duke mos lejuar që të binim pre e provokimeve të rënda që bëheshin. Besoj se kjo strategji u shpërblye. Fatmirësisht, opozita u vetëdijesua që nuk do të sigurojë asgjë me dhunë e agresivitet, sepse ky është sistemi demokratik i institucioneve dhe procedurave demokratike. Tanimë ata i janë rrugës institucionale.

Fakti që institucionet shtetërore i përballën dhe i rezistuan sulmeve të dhunshme dhe procedurave demokratike, dëshmon për konsolidimin e tyre. Ky është një lajm i mirë për Kosovën. Vende të tjera fqinje, që janë përballur me përplasje të dhunshme, kanë shkuar në situata më të rënda dhe dhuna është përshkallëzuar. Por, ne i jemi rikthyer jetës institucionale.

Telegrafi: Sa është përmbushur agjenda e vitit 2016? Cilat ligje me rëndësi kanë mbetur për 2017-në?Veseli: Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme me të cilat është ballafaquar Kuvendi i Kosovës, mund të them me kënaqësi se kemi përmbushur në mënyrë shumë të suksesshme detyrën. Pra, përkundrejt protestave e gazit lotsjellës, kemi shqyrtuar nëpër komisione dhe kemi aprovuar në kohë 98 për qind të projektligjeve që kanë ardhur në Kuvend. Kuvendi ka përmbushur, si asnjë institucion tjetër shtetëror, agjendën e vet, duke nxjerr ligje të rëndësishme për jetën e qytetarit, sikurse janë: Ligji për Trepçën, ose Ligji për Obiliqin. Nga ky vit po transferohet miratimi i Ligjit për Demarkacionin i cili ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik të Kosovës.

Telegrafi: Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave, a do të rikthehen në Kuvend?

Veseli: Ratifikimi i Demarkacionit është i një rëndësie të veçantë dhe me rol të shumëfishtë për Kosovën. Bëhet fjalë për konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke konfirmuar në mënyrë bilaterale kufijtë tanë ndërshtetëror me shtetin fqinj. Po ashtu, bëhet fjalë për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave, si pengesa e vetme që qytetarëve tanë t’u hiqen vizat për Zonën Schengen. Gjithashtu, çka është po aq e rëndësishme, bëhet fjalë për nevojën që ka Kosova për t’u treguar si shtet dinjitoz e i përgjegjshëm para aleatëve dhe mbarë arenës ndërkombëtare, duke iu përmbajtur marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare që merr përsipër.

Telegrafi: Duke marrë parasysh polarizimin e skajshëm të skenës politike në vend, sa ka mundësi që të eskalojë situata më 2017?Veseli: Unë nuk shoh arsye përse situata duhet të eskalojë, kur ne sivjet kemi parë që nga një situatë e ndezur e kemi zbutur atë me durim në një normalitet institucional. Viti 2017 do të jetë një vit elektoral, sepse po i afrohemi përmbushjes së mandatit të pushtetit lokal, kështu që mendoj se debati i brendshëm gradualisht do të përqendrohet te gara e ardhshme elektorale.

Telegrafi: Kush është fajtori kryesor për mos-liberalizimin e vizave?Veseli: Unë besoj se përgjigja për këtë pyetje është më se e qartë dhe është bërë shumë herë e ditur nga të gjitha personalitetet e shquara të Bashkimit Evropian që janë shprehur për këtë çështje. Janë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, përveç Demarkacionit. Sabotimi që i ka bërë opozita përmbushjes së kriterit të fundit të mbetur ka sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë bllokimin e liberalizimit.

Telegrafi: Ju jeni edhe kryetar i PDK-së. Cilat janë raportet në koalicionin qeverisës? A ka mosmarrëveshje dhe rrezik për prishjen e koalicionit?Veseli: Sfidat e mëdha që kemi përpara, sikurse janë integrimi euroatlantik, Demarkacioni, dialogu, formimi i Ushtrisë, e bëjnë shumë të nevojshëm bashkëpunimin – jo vetëm brenda koalicionit qeverisës, por të të gjithë faktorëve politikë në vend. Unë besoj se nevojat shtetërore që na bashkojnë si partnerë të koalicionit janë më të mëdha dhe më të rëndësishme se ndasitë tona. Prandaj, nuk shoh ndonjë kërcënim konkret për prishje të koalicionit.

Telegrafi: Mendimi juaj për opozitën?

Veseli: Ritheksoj vlerësimin tim për kthimin e opozitës në rrugën institucionale, që pakënaqësitë e saj t’i shprehë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë shpresoj që partitë opozitare të vazhdojnë me këtë frymë, në mënyrë që të konsolidojmë më tutje institucionet dhe procedurat demokratike në këtë vend. Rruga e dhunës dhe gjuha e urrejtjes dëshmuan se populli ynë nuk i pranon ato në realitetin politik të sotshëm, prandaj besoj është në interesin e popullaritetit të opozitës që të vazhdojë me gjuhën e dialogut dhe debatit parlamentar.

Telegrafi: Sa mendoni që është i nevojshëm riformatimi i Qeverisë?Veseli: Për sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, ne e kemi parë të arsyeshme dhe e kemi ndërmarrë tashmë një proces të riformatimit të Qeverisë, duke ndryshuar zëvendëskryeministrin, ministrin e Jashtëm, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe së shpejti edhe atë të Integrimit Evropian.

Telegrafi: A jeni ju pro mbajtjes së zgjedhjeve dhe si i komentoni pretendimet se ato do ta mbahen më 2017?Veseli: Është detyra normale në kushtet e garës demokratike që opozita t’ia shkurtojë jetën shumicës qeverisëse sa më shpejtë që të mundet, ashtu sikurse është interesi i kuptueshëm i shumicës që të përmbushë mandatin. Prandaj, si drejtuesi i partisë kryesore në vend, mund t’ju them se opozita nuk do ia dalë që të na detyrojë ne që të heqim dorë nga mandati që na ka dhënë populli me një shumicë dërrmuese votash. Zgjedhjet mund të bëhen para kohe vetëm në momentin kur ka një marrëveshje politike pozitë-opozitë.

Telegrafi: Cilat janë synimet e juaja dhe të Kuvendit për 2017-në?Veseli: Unë shpresoj që viti i ardhshëm të jetë një vit i integrimit euroatlantik, ku ne të kemi zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe të kemi ndërmarrë hapa konkretë për t’u bërë pjesë e procesit të integrimit në NATO. Po ashtu, objektivi im personal është që të dominojë agjenda zhvillimore te Kosovës. Kemi harxhuar shumë kohë me sulme e debate personale, ndërkohë që është neglizhuar e ardhmja. Ne nuk duhet të lejojmë të mbesim peng të së kaluarës, por si vendimmarrës të bëjmë më të mirën për ta nxjerrë Kosovën nga varfëria dhe për të hapur vende të reja pune. Prandaj, unë do bëj aq sa kam mundësi që veprimtaria e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e Kuvendit të Kosovës të fokusohet sa më shumë në rritjen ekonomike dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles