Site icon Prishtinapress

Veseli: Kurti për një muaj qeverisje, dobësoi marrëdhëniet me SHBA-të kurse shprehu vullnet të mirë me Serbinë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se në tridhjetë ditët e qeverisë Kurti, zhurma dhe arroganca janë bërë mjet për arsyetuar mos punën.

Veseli përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në vend që Kosovës ti ofrohet siguri dhe forcim në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndodh e kundërta.

“Kërcënim dhe dobësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Nervozizëm në marrëdhëniet me Shqipërinë e shprehje e vullnetit të mirë me Serbinë”, ka shkruar Veseli.

Postimi i plotë:

Në tridhjetë ditë të qeverisë Kurti, zhurma dhe arroganca janë bërë mjet për ta arsyetuar mos punën.
Thuhen shumë fjalë vetëm për ti ikur përgjegjësisë para qytetarëve. Por, qeveritë e politikanët maten me punë dhe jo fjalë.
Zvogëlohet numri i zëvendës ministrave, por, pakuptueshëm rritet numri i këshilltarëve politikë. Bëhen shkarkime pa procedura, ngarkohen me detyra publike familjarët dhe militantët.
Në politikën e brendshme papërgjegjësi kurse në të jashtmen rrezikshmëri.
Në vend që Kosovës ti ofrohet siguri dhe forcim në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndodh e kundërta. Kërcënim dhe dobësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Nervozizëm në marrëdhëniet me Shqipërinë e shprehje e vullnetit të mirë me Serbinë.
Një muaj qeverisje, dy çnjohje të pavarësisë së Kosovës. Kjo është pasqyra e këtij njëmujori qeverisës, zhurmë, rrezik dhe pasiguri. Kosova meriton më mirë. 
/Telegrafi/

Exit mobile version