Site icon Prishtinapress

Veseli iu bën thirrje qytetarëve që ta nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një video ka prezantuar Paktin Kundër Korrupsionit, deri sa u ka bërë thirrje qytetarëve që ta nënshkruajnë këtë pakt.

Veseli e ka quajtur si fatkeqësi që shumica e subjekteve politike e kanë refuzuar nënshkrimin e këtij pakti, derisa sipas tij ata kanë mbyllur sytë dhe veshët para se keqës.

Kjo ështe thirrja e Veselit:

Korrupsioni, nepotizmi dhe abuzimi me pushtetin politik po e dëmtojnë shtetin tonë. Prandaj, ne kemi obligim politik e qytetar që ta ndërtojmë një standard të ri të integritetit gjatë ushtrimit të pushtetit politik.

Gjithçka fillon me luftën kundër korrupsionit. Vetëm nëse zhvillojmë një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ne mund të ndërtojmë një të ardhme për të rinjtë tanë këtu.

Për këtë arsye, unë kam inicuar dhe kam nënshkruar Paktin Kundër Korrupsionit dhe jam zotuar se do ta zbatoj secilën nga 10 pikat e tij.

Për fat të keq, liderët e partive tjera politike kanë refuzuar nënshkrimin e Paktit Kundër Korrupsionit.

Ata kanë mbyllur sytë dhe veshët para kërkesave dhe thirrjeve tuaja. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq.

Prandaj, ju ftoj juve, qytetarë të dashur, që ju ta nënshkruani këtë Pakt, në mënyrë që bashkërisht ta krijojmë një moment të ri për shtetin e Kosovës.

Si akt vendosmërie e vullneti politik për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimin me pushtetin, unë kam nënshkruar Paktin Kundër Korrupsionit, duke u zotuar se si drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës do ta zbatoj secilën nga 10 pikat e tij.

Pakti Kundër Korrupsionit është një standard i ri dhe i domosdoshëm për Kosovën, ku përfshihen:

  1. Mos-kandidimi për deputetë i personave të akuzuar për korrupsion
  2. Mos-emërimi në pozita publike i personave që kanë rënë ndesh me ligjin në sferën që prek korrupsionin ose abuzimin me pushtetin
  3. Suspendimi i çdo zyrtari të akuzuar për korrupsion
  4. Mbrojtja e interesit publik
  5. Parandalimi i korrupsionit pasiv
  6. Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit politik
  7. Transparenca e emërimeve të pozitave të larta drejtuese
  8. Ndëshkimi i nxitësve të korrupsionit brenda dhe jashtë sferës institucionale
  9. Sinjalizimi kundër korrupsionit
  10. Standardi i integritetit të pushtetit politik.

Ky Pakt është përcaktim i yni, në dorën tonë dhe në vullnetin tonë.

Exit mobile version