Site icon Prishtinapress

Veseli: Do t’i godasim ata që e konsiderojnë veten të paprekshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar sot se plani i tij kundër korrupsionit do të fillojë të realizohet brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes së tij.

Veseli në një intervistë për KosovaPress, u shpreh se pas fitimit të zgjedhjeve, qeveria e udhëhequr nga ai do ta formojë Byronë Anti Korrupsion, e cila do të ketë strukturë të posaçme që do të ndërtohet në partneritet të ngushtë me partnerët perëndimorë, konkretisht SHBA-te dhe BE-në.

“Do të jenë veprime konkrete brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes sime, natyrisht në bashkëpunim me ShBA-të dhe partnerët tanë nga Bashkimi Evropian, veprime të cilat do të përfshijë Gjyqësinë, Prokurorinë dhe Policinë, veprime konkrete të cilat kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, konfiskimin e pasurive, të cilat janë bërë në mënyrë të paligjshme. Për aq sa janë veprime në krijimin e komisionit parlamentar i cili do të udhëhiqet nga opozi ta kundër korrupsionit, veprimet e legalizimit, veprimet e përgjegjësisë civile, penale. Do të thotë është një ndërmarrje e cila do të jetë bukur e gjërë, ku mbi të gjitha qëndron Byroja ekzekutive, një organizim i cili na është kërkuar nga ShBA-të, në mënyrë të veçantë edhe më herët për veprime të cilat janë efikase, konkrete, pa fjalë shumë në luftën kundër njerëzve të cilët po e dëmtojnë pasurinë publike, në luftën e njerëzve të cilët janë të korruptuar dhe të cilët nuk po e dinë kur është fundi”, tha ai.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli tha se Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion do të realizohet brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes së tij.

Ai tha se do të ketë veprime konkrete ndaj njerëzve që e konsiderojnë vetën të paprekshëm dhe të cilët e dëmtojnë pasurinë publike.

“Jo që besoj se do të realizohet, por ajo ka me u realizua brenda 100 ditëshit të parë për faktin se ne kemi tanimë përgëzimet e para nga partnerët tanë, ShBA-të dhe partnerët perëndimor nga Bashkimi Evropian. Do të ketë veprime konkrete në Gjyqësorin, Prokurorinë dhe në Policinë e Kosovës, në të cilat do të bëhen veprime në mënyrë më efikase, më të drejtpërdrejtë për të ashtuquajturin njerëz që e konsiderojnë vetën se janë të paprekshëm. E ne do t’i prekim, do t’i prekim drejtpërdrejtë, do t’i godasim të gjithë ata njerëz të cilët janë duke e dëmtuar pasurinë publike. Të gjithë ata njerëz që mendojnë se mund të bëjnë gjithçka e askush nuk i ndal, për aq sa do t’iu konfiskohet pasuria e tyre. Është ndërmarrja më serioze që ka qenë 20 vitet e fundit, kemi marrë shumë kritika nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-të, është koha të veprojmë dhe do të veprojmë. Byroja ekzekutive do të jetë realitet brenda 100 ditëshit të parë”, tha Veseli.

Sa i përket planit të tij për legalizimin e shtëpive, Veseli tha se ky plan i tij mund të realizohet brenda dy viteve.

“Unë besoj jo për dy vite, por shumë më shpejt do të fillon dhe do të përfundojë brenda dy viteve. Ne flasim me përfundua brenda dy viteve legalizimi i 350 mijë ndërtimeve të cilat janë aktualisht pa legalizuara, ka kosto vetëm 1 euro për metër katror. Kjo nënkupton realizimin e një burimit të madh financiar, 10 miliardë euro të cilat do të jenë në ekonominë e Kosovës, do të jenë tek familjet tona, për aq sa do të largon abuzimet. Edhe një herë po e përsërisë dhe krijon një mundësi që të ketë transaksione të cilat lidhen financiare edhe për pronat private, familjaret të cilat i kanë të vetat legalisht. Në të njëjtën kohë, procesi i legalizimit nuk do të thotë legalizim i pronave të cilat janë abuzuar nga të ashtuquajturit të fortit e ligë të pronësisë publike. Do t’i jepet vula përmes këtyre dy viteve ato që legalizohen legalizohen në masën 99 përqind,  por ato ku cenohet prona publike, ku është uzurpuar prona publike, ku u shkatërrua interesi publik do të rrënohen”, tha ai.

Exit mobile version