Site icon Prishtinapress

Veseli: Deklarata e Vuçiqit për therjen e të riut serb, tendencë për destabilizimin e rajonit

Kreu i PDK-së Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave provokuese që sonte ka bërë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pas një incidenti që ndodhi në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë ku një i ri serb ka mbetur i lënduar.

Veseli vlerëson se deklarata e Vuçiqit ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit t’i ndalojë provokimet.

“Loja që Aleksandar Vuqiç  po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të të bashkëqytetarëve tanë serb të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cënimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj,  i bëj thirrje Beogradit, që të heqi dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serb rehat të lirë”, ka thënë Veseli.

Ai ka dënuar therjen e të riut serb te Ura e Ibrit.

“Nga ana tjetër, unë dënoj ashpër krimin ordiner të kryer sot dhe bëj thirrje ndaj organeve të zbatimit të ligjit që sa më shpejtë të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit. Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit serb në Kosovë. Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt”, është shprehur Veseli.

“Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike. Me këtë rast i siguroj bashkëqytetarët tanë serb që Kosova është shteti i të gjithëve atyre që jetojnë këtu dhe do të kujdeset njësoj për të gjithë kudo ku banojnë”, ka shkruar ai në Facebook.

Exit mobile version