Site icon Prishtinapress

Vëllai iu infektua me coronavirus, flet nga karantina Don Lush Gjergji

Don Lush Gjergji, vëllai i pacientit të parë të infektuar me koronavirus në Kosovë (M. Gjergji), thotë se COVID-19 nuk njeh kufij apo viza SChengen.

Ai bën thirrje për përgjegjshmëri ndaj vetes, të afërmeve, familjarëve, dhe zbatim të përpiktë të udhëzimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

77 vjeçari nga Stublla e Vitisë, i cili është vëllai i Don Lush Gjergjit, është pacienti i parë në Kosovë i konfirmuar me coronavirus.

Don Lush Gjergji në një intervistë për Abc News, thotë se vëllai i tij me familjen jetojnë prej vitesh në Bergamo dhe kanë shkuar në Kosovë më 5 mars.

“Vëllai im, me gruan e tij, erdhën në Kosovë me fluturim Verona – Prishtinë më 5 mars 2020. Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë. Si duket, së paku kështu thonë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv. Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, ‘amatoreske’ në Viti dhe në Gjilani, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tash, së bashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi”, deklaroI Don Lush Gjergji.

Ai konfirmon gjithashtu se më 8 mars kishte qenë në Stubëll ku ishte mbajtur mesha dhe ku ishte takuar me të vëllain dhe familjen e tij, ndërsa më 12 mars, kishte marrë vesh se i vëllai Mëhilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë.

“Me vëllain dhe familjen e tij patëm edhe darkën së bashku me famullitarin e vendit Don Jeton Thaçin. Me 12 mars e kuptova se vëllai ishte hospitalizuar”.

Vetë Don Lushi ka bërë të premten e kaluar testimin, i cili ka dalë negativ.

“Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë. E kuptoj “vonesën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidomos vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…”

Ai bën thirrje për përgjegjshmëri ndaj vetes, të afërmeve, familjarëve, dhe zbatim të përpiktë të udhëzimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Don Lush Gjergji thekson se koronavirusi nuk njeh kufij apo “viza SChengen”.

Ai bën thirrje për mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri dhe dashuri, duke vënë në dukje shprehjen e Nënë Terezës, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

“Na ruajt Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!”, tha ndër të tjera Don Lush Gjergji në këtë intervistë televizive.

Exit mobile version