8.2 C
New York
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Vdekja e 22-vjeçares në Besi, babai dhe vëllai po mbahen si të dyshuar familja po akuzon tjetërkënd

Më 1 tetor të këtij viti, në oborrin e shtëpisë së saj, në fshatin Besi të Prishtinës, u gjet e vdekur 22-vjeçarja Blerta Osmani. Hetuesia kosovare këtë lëndë po e trajton si shtytje në vetëvrasje dhe për këtë tashmë janë arrestuar babai dhe vëllai i së ndjerës. Por, nëna e 22- vjecares akuzon ish-të dashurin e vajzës (emër i njohur për redaksinë e Gazetës Express), si vrasës. Atë, megjithatë, Prokuroria e ka intervistuar vetëm si dëshmitar, jo si të dyshuar.

Thotë se 2019’ta është  periudha më e kobshme e jetës së saj, mallkimin e të cilit do ta marrë me vete edhe në varr. Kështu po e vajton humbjen e të bijës, gruaja e rreth të 60’ve, nga fshati Besi, i komunës së Prishtinës. 22-vjeçarja, Blerta Osmani, në mbrëmjen e 1 tetorit të këtij viti u gjet e vdekur në oborrin e shtëpisë së saj, me një plumb në kokë.

Por, humbja e vajzës nuk është e vetmja tragjedi me të cilën u ballafaqua kjo grua sivjet.  Si të dyshuar për vdekjen e vajzës, iu  arrestuan burri dhe djali 29-vjeçar. Sipas Prokurorisë, të dy këta po dyshohet se kanë kryer disa vepra penale si: vdekje e dyshuar, shtytje në vetëvrasje, manipulim me prova, armëmbajtje pa leje, e lajmërim apo kallëzim i rremë.

Disa muaj pasi ndodhi kjo ngjarje e rëndë, Gazeta Express, ka qëndruar në shtëpinë e viktimës ku ka biseduar me nënën e së ndjerës për këtë rast.

“Vajzën na e vrau ish i dashuri i saj, 24-vjeçari nga Podujeva”

Në familje japin tjetër version nga ai i prokurorisë. Nëna e së ndjerës shpjegon se vajza e saj gjatë stinës së verës kishte nisur një lidhje dashurie me një djalë po ashtu nga rajoni i Podujevës (identitetin e së cilit ajo e ka bërë të ditur për redaksinë). Për këtë lidhje nëna e 22-vjeçares thotë se kishte qenë në dijeni vetëm ajo dhe vajza tjetër e saj.

“Burrat e familjes, nuk kanë ditur gjë për këtë lidhje”, thotë ajo, duke treguar se pas disa muajve i dashuri i vajzës së saj 24-vjeçari, kishte filluar që të shfaqë shenja xhelozie ndaj vajzës së saj.

Nëna e 22-vjeçarës së vdekur, po e akuzon pikërisht të dashurin e vajzës se ia mbyti atë. Ajo nuk po beson se vajza e saj ka kryer vetëvrasje.

“S’e ka shty askush me ba vetëvrasje çikën tem. E as kurrë në jetë nuk besojë që ka ba. Atë e ka mbytë ni djalë me të cilin kishte disa muaj që kishte dal. E ka marrë ai disa kohë më përpara, kanë shku në hotel me çikën tem. Tash kjo s’ka dashtë a ku meditë, edhe aj ka ardhë edhe ma ka vra çikën”, rrëfen nëna e së ndjerës.

Ajo shpjegon se vajza i kishte treguar asaj për lidhjen që e kishte pasur me 24-vjeçarin nga Podujeva.

“Çika e ka dashtë shumë djalin. Po ai ka qenë xheloz. I kemi thanë leje, po s’na ka ngu. Ai ka ardhur këtu në oborr tek ne edhe e ka kap. Edhe duhet me u çitë para drejtësisë”, thotë nëna e Blerta Osmanit.

Prokuroria: 24 vjecarin që po e përmend familja e kemi intervistuar si të dyshuar

Por, tjetër version nga ana e familjes së tashmë të ndjerës po japin nga ana e institucioneve të hetuesisë kosovare.

Nga prokuroria e shtetit dyshimet e para i kanë se e ndjera, Blera Osmani, 22-vjeçare, ka kryer vetëvrasje. Sipas ligjvënësve vendor, babai dhe vëllai i tashmë së ndjerës po dyshohet se e kanë shtyrë 22-vjeçaren që ta kryejë këtë akt.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti, në një deklaratë dhënë për Gazetën Express, ka thënë se personin të cilin po e përmend familja si të dyshuar për vrasjen e vajzës e kanë intervistuar nga ana e prokurorisë. Ai, sipas Hamitit, është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për këtë rast e jo të dyshuarit.

“Personin në fjalë e kemi intervistuar rreth këtij rasti. Ai vet është paraqitur në prokurori. Atë e intervistuam në cilësinë e dëshmitarit jo personit të dyshuar për këtë rast”, ka sqaruar Hamiti.

Tutje ai ka thënë se hetimet për këtë rast po i vazhdon prokuroria. Ndërkohë që po i presin edhe disa ekzaminime shtesë të cilat i kanë kërkuar.

Mirëpo, në paraburgim sipas prokurorit Hamiti, vazhdojnë të mbesin babai dhe vëllai i së ndjerës. Ata sipas prokurorisë babai dhe vëllai i së ndjerës kanë kryer disa vepra penale – vdekje e dyshuar, shtytje në vetëvrasje, manipulim me prova, armëmbajtje pa leje, lajmërim apo kallëzim i rremë.

Por, me këto dyshime të prokurorisë nuk po pajtohet familja e tashmë së ndjerës. Nga familja Osmani po deklarojnë se babi e vëllai i së ndjerës tashmë të arrestuar, nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me rastin.

Ata thonë se është e vërtetë se familjarët kanë deklaruar se vajzën mund t’ua ketë mbytur një plumb qorr. Kjo për arsyen se ata sipas nënës së tashmë të ndjerës, nuk e kishin ditur se vajza e tyre kishte qenë në lidhje.

“Burrat s’i kemi pas në shtëpi ditën kur ka ndodhë rasti. Ata nuk e kanë ditë që çika ka qenë në lidhje me të.  Kanë dhënë deklaratë duke mëndu se ka qenë plumbi qorr ai i cili ia ka marrë jetën vajzës”, kanë deklaruar për Express nga familja e së ndjerës.

Ata deklarojnë se për dyshimet e tyre se vajzën ua ka vrarë personi me të cilin ajo kishte qenë në lidhje, i kanë shpjeguar edhe policisë së Kosovës. Mirëpo, sipas tyre këta të fundit nuk kishin ndërmarrë asgjë për ta zbardhur këtë rast.

“Ne i kemi tregu policisë për dyshimet që i kemi. Nuk na kanë ndëgju”, shpjegohen tutje nga familja

Kujtojmë se me 1 tetor të këtij viti, pas orës 19:00, në oborrin e shtëpisë së saj, ishte gjetur e shtrirë në tokë 22-vjeçarja Blerta Osmani. Në pjesën e kokës ka pasur një plumb, vrima e të cilit nuk ka qenë dalëse. Ajo kishte ndërruar jetë atë natë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

E vajza e dytë e familjes Osmani nga Besia e Prishtinës, sipas familjes nuk kishte pasur probleme me askënd. Përshkruhet si vajzë e qetë, dhe si një financiere e ardhme, ngase kishte qenë duke studiuar në një kolegj privat në Prishtinë për financa.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles