16.9 C
New York
Sunday, October 6, 2024

Buy now

spot_img

Vaji i palmës në produktet e qumështit, shqetësim për Institutin e Shëndetit Publik (Video)

Kohëve të fundit raportohet se në Kosovë qarkullojnë produkte që paraqiten si produkte të qumështit, por që në fakt kanë për bazë vajin e palmës. Ky  vaj po konsiderohet edhe kancerogjen nga përfaqësues të shoqatave të qumështarëve.

Vetëm në pesë vjetët e fundit sipas të dhënave zyrtare nga dogana, janë importuar në Kosovë rreth 10 milionë litra të vajit të palmës, që për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kjo sasi është mjaft e madhe për vendin tonë dhe mund të jetë kancerogjene për qytetarët e Kosovës, nëse tejkalohen kriteret për përdorimin e këtij vaji në industrinë ushqimore.

Fatkeqësisht Instituti për Shëndetin Publik nuk ka bërë ende ndonjë analizë apo hulumtim për ndikimet e këtij vaji në shëndetin e njeriut.

Doktoresha Antigona Ukëhaxhaj nga Institutin Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës për KosovaPress thotë se janë një gamë e madhe e produkteve ushqimore në të cilat përdoret vaj i palmës, jo vetëm produktet e qumështit.

Përveç konsumatorëve, edhe Ukëhaxhaj mbetet e shqetësuar për përmbajtjen e produkteve ushqimore.

Ajo thotë se përballë kësaj sfide duhet të bëhet një hulumtim sa më shpejt nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Të gjithë jemi pranë një sfide të cilat do të duhej të hulumtohet në të ardhmen e afërt edhe në Kosovë se çfarë po ndodhë, dhe realisht për të cilat produkte i kemi në treg, sepse nuk janë vetëm ato vendore. Ne kemi shumë produkte që vijnë nga jashtë prej të gjitha vendeve  evropiane dhe realisht nuk dimë se çka përmbajnë në brendinë e vet… Është mjaft shqetësuese, mjaft brengosëse dhe një sfidë për hulumtim sa më parë… Ndoshta edhe vetë lënda e parë që vije nga shtetet bashkësisë evropiane për t’u futur në zinxhirin e prodhimit ushqimor mund ta ketë atë sasi të vajit. Prandaj, duhet ditur shumë saktë sasia, mundësitë, sa janë vlerat e lejuara dhe sa ka rrezik për grupet e ndryshme të popullatës që e konsumon atë artikull ushqimor”, tha doktoresha Ukëhaxhaj.

Derisa, cilësia e produkteve ushqimore ka rëndësi të madhe për shëndetin e konsumatorëve, Ukëhaxhaj thotë se fatkeqësisht për vitin 2016 vetëm dy analiza janë bërë për produktet e qumështit.

Ajo kërkon ndarjen e yndyrërave shtazore nga ajo bimore për të vërtetuar se a ka apo jo prezencën e vajit të palmës, mirëpo, sipas saj, AUV asnjëherë nuk ka kërkuar një gjë të tillë.

“Fatkeqësisht ne në tërë vitin 2016 nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit kemi pasur vetëm dy mostra të qumështit të cilat i kanë sjellë për analizë dhe ata asnjëherë nuk kanë kërkuar ndarje të yndyrerave shtazore nga ajo bimore për të vërtetuar se a ka apo jo prezencën e vajit të palmës”, theksoi ajo.

Mirëpo, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, thotë produktet të cilat janë të përbëra nga qumështi dhe kanë të zëvendësuar yndyrën shtazore me atë bimore duke e përfshirë edhe vajin e palmës, nuk janë ilegale përderisa deklarohet në etiketë përbërja e produktit dhe produkti.

Sipas tij, kohën e fundit nga Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore është dhënë opinion për vajrat bimore të proceduara përfshirë edhe vajin e palmës, për veti kancerogjene dhe gjenogene, kur ato gjatë procesit të prodhimit të tyre arrijnë trajtimin në temperaturë mbi 200 gradë.

Ai tha se për këtë opinion ende nuk janë marrë vendime nga institucionet ndërkombëtare të thirrura për vendimmarrje, nga Komisioni Evropian ose nga vendet anëtare, në veçanti por as nga institucione tjera për siguri ushqimore të shteteve të zhvilluara.

“Nuk është shqetësuese ajo që paraqitet në opinion, në këtë rast çdo vaj i cili nuk trajtohet në kushtet të cilat kërkohen, gjithmonë edhe mund të paraqet problem. Mirëpo nuk janë vajra të cilat rrezikojnë shëndetin publik. Në këtë rast edhe sa i përket vajit të palmës, trajtimi i tij në tempertaurë mbi 200 gradë, mund të jetë jo e mirë për shëndetin tonë, por si i tillë ai përdorert ashtu siç e përdorin edhe vendet e bashkimit evropian. Nuk ka ndonjë ndalesë në përdorimin e tij, ngase të gjitha vendet e zhvilluara e përdorin për prodhimin e produkteve ushqimore. Dhe industria ushqimore në përgjithësi, në veçanti prodhimet e kontiterike janë produkte të cilat si shtesa në këtë rast përdoren vajrat bimore”, deklaroi Gjinovci.

Ai tha se për derisa nuk merret ndonjë vendim për ndalimin e yndyrërave bimore, përfshirë vajin e palmës në produkte ushqimore nga institucione relevante ndërkombëtare të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për vlerësime shkencore përfundimtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk vendosë ndalesë në përdorimin e tyre.

Sipas tij, yndyrërat bimore lejohet të përdoren, por nga ana e prodhuesve duhet të deklarohen lidhur me përmbajtjen, cili do produkt që prodhohet.

“Vajrat bimore në përgjithësi lejohen të përdoren por duhet të deklarohen nga ana e prodhuesit, është obligim që të deklarojnë mbi përbërjen dhe mbi përmbajtjen e produktit. Në këtë rast edhe yndyra bimore apo vaj i palmës duhet të deklarohet, mandej mbetet në zgjidhjen e konsumatorëve se cilin dëshiron ta blej, atë me yndyrë shtazore apo ai që ka përmbajtje të yndyrës bimore. Roli i agjencisë së Ushqimit dhe inspektorët të agjencisë është kontrolli i sigurisë së produkteve dhe ato produkte të cilat i nënshtrohen një kontrolli të detajuar dhe për të cilat lëshojmë certifikatë janë produkte të cilat janë të sigurta”, tha Gjinovci.

Gjinovci ka konsideruar se nuk është sasi e lartë e importit të vajit të palmës, për arsye se Kosova ka një industri ushqimore, e cila është zhvilluar në masë të madhe.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, për KosovaPress thotë se në pesë vjetet e fundit trendi i importit të vajti të palmës është i njëjtë, dhe në vitin 2016, sasia e importit është rreth 2 milionë litra me vaj palme.

“Kryesisht trendi i importit të vajit të palmës në këto pesë vitet e fundit ka qenë i njëjtë përafërsisht, andaj, nëse e marrim statistikën e saktë të vitit 2016, ne kemi pasur 1.8 milion litra import të vajit të palmës, të kategorizuar në të papërpunuar dhe të përpunuar, natyrisht i ri përpunuari dominon me 95 përqind të importit”, tha Stavileci.

Kryetari i shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, tha se përdormi i vajit të palmës është në shumë sfera të industrisë së ushqimit, dhe natyrisht se edhe interesimi i keqbërësve është shumëfishuar. Ai shtoi se sot konsumatorët janë të abuzuar me këtë lloj të vajit të palmës në disa mënyra.

“Nëse nuk jemi të informuar, nëse nuk kemi vetëdije të mjaftueshme, kulturë të ushqimit për konsum, natyrisht se në këto kushte vaj i palmës është i rrezikshëm… Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, në momentin e parë kur organizata ‘Konsumatori’ka dal me dyshimin rreth vajit të palmës, ka qenë dashur të bëjë analiza dhe hulumtime për të dhënë një informatë, por jo vetëm Instituti, por edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës”, tha Kaçaniku.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles