8.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Ushtria e Kosovës domosdoshmëri, si përgjigje ndaj pretendimeve territoriale të Serbisë

Iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri ka nxitur reagime tek ndërkombëtarët, por nga ekspertë të sigurisë përkrahet kjo iniciativë duke pasur parasysh pretendimet e vazhdueshme territoriale të Serbisë ndaj Kosovës .

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ambasadori amerikan Greg Delawie kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth procedimit të projektligjit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të pritshme.

“Kam pritur reagime të mëdha nga çarqet ndërkombëtare që veprojnë këtu në Kosovë kundër dhënies së ingerencave më të fuqishmet aspektit ushtarak të FSK-së. Ne faktikisht emrin nuk po e ndryshojmë, fjala është vetëm për shtimin e detyrave të nivelit ushtarak. Çarqet ndërkombëtare këtu në Kosovë nuk do të thoshin që formoni ju Forcat e Armatosura të Kosovës sepse ka ardhur koha”, ka thënë Qehaja.

Ai ka theksuar se ne vetëm po fillojmë të bëjmë ushtrinë, dhe se ka qenë e pritshme reagimi i NATO-s, duke ditur detyrat neutrale të aleancës në Kosovë.

“Duke ditur që NATO-ja në Kosovë ka detyra neutrale ndaj Pavarësisë së Kosovës, dhe vepron sipas rezolutës 1244, do të thotë që katër shtete që janë anëtare të NATO-s nuk kanë pranuar ne si shtet dhe nuk mund të presim që NATO-ja të na thotë formoni ushtrinë”, u shpreh Qehaja, duke shtuar se ne duhet një herë e përgjithmonë ta kemi parasysh se së paku një herë duhet ta marrim një vendim vet dhe jo të presim çfarë të na thotë dikush.

Ramadan Qehaja më tej ka bërë të ditur se që tri vite jemi duke diskutuar rreth asaj se a duhet dhe si duhet formuar Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe më tepër jemi marrë me fjalë se a do ta votojë apo jo Lista Serbe një vendim të tillë.

“Ka pasur tentativa të më hershme që të bisedohet me Listën Serbe, por duke e ditur prejardhjen e saj, ata kanë qëndrime të njëjta sikurse Vuçiqi lidhur me FAK-un e që ai nuk dëshiron që Forcat e Armatosura të formohen, kështu që edhe këta patën deklaruar se nuk do ta votojnë kurrë krijimin e FAK-ut”, tha Qehaja për Telegrafin.

Ai ka theksuar se pavarësisht asaj se kush e ka bërë propozimin i pari, presidenti apo qeveria për ta proceduar Projektligjin për FSK-në Kuvend, më e rëndësishme është që kjo gjë të ecë përpara.

“Mendoj se kjo është mirë dhe është momenti i duhur për këtë, është momenti i fundit që ne të veprojmë. Deputetët duhet të jenë të kujdesshëm dhe ta votojnë këtë projektligj, sepse ne nuk mund të presim më duke pasur parasysh rrezikshmërinë që e kemi jo vetëm në aspektin e destabilizimit të situatës së sigurisë nga Serbia, por edhe për shkak të pretendimeve territoriale që ajo ka ndaj Kosovës, për ta ndarë një pjesë të saj”, tha Qehaja për Telegrafin.

Qehaja ka theksuar se më nuk mund të rrimë duarkryq pavarësisht prej asaj që Serbia kinse po hidhërohet, ne nuk duam ta hidhërojmë as Serbinë e as një shtet fqinjë, ne vetëm duam ti kryejmë detyrat tona si shtet që jemi.

Ai u shpreh se situata është kësisoj, duke pasur parasysh tentativat për destabilizim të situatës së sigurisë dhe politike në Kosovë janë shumë të mëdha, prandaj sipas tij ushtria e Kosovës duhet të formohet.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles