Site icon Prishtinapress

Urimi i ministres Dumoshi për 4 vjetorin e pranimit të FFK-së në UEFA

Me rastin e 4 vjetorit të anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, datë kur edhe ka shënuar ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në Kosovë, futbollit, dua t’i uroj të gjithë futbollistët në rend të parë, pastaj drejtuesit e të gjitha klubeve, stafin teknik e profesional të tyre, gjyqtarët e futbollit, drejtuesit e FFK-së dhe të gjithë tifozët e futbolldashësit në Kosovë.

Ajo ditë e anëtarësimit më kujtohet edhe sot. Ka qenë e mbushur me përplot emocion gëzimi i përzier me lot nga të gjithë ne që e kemi përcjellë për së afërmi këtë ngjarje. Në këtë ditë të rëndësishme për futbollin e Kosovës, dua që ta kujtoj në shenjë mirënjohje dhe falënderimi kontribuuesin më të madh në këtij anëtarësimi, ish-kryetarin e FFK-së, legjendën dhe krenarinë e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, i cili ka dhënë angazhimin e tij maksimal për finalizimin e ëndrrës së gjeneratave të tëra në Kosovë, duke rezultuar me pranimin e Kosovës në familjen e madhe ndërkombëtare të futbollit.

Andaj, shembulli i angazhimit të të paharruarit, Fadil Vokrri, ka qenë frymëzim për breza të tërë, me dekada, qoftë kur ka qenë si futbollist, kur jemi identifikuar dhe ngushëlluar me të, por edhe më pas si drejtues i FFK-së, që ka rezultuar në ndërkombëtarizimin e futbollit të vendit tonë. Duke kujtuar Vokrrin, ua uroj këtë ditë të shënuar të gjithëve që aktivisht merren me futboll ose e duan suksesin dhe rezultatet e futbollit në vendin tonë dhe jashtë saj.

Shembulli i Fadilit le të jetë një lloj inkurajimi dhe nxitje për ta avancuar më tutje futbollin në Kosovë. Të lëvizim përpara në suksese e rezultate të reja ashtu që tërë atë sakrificë që është bërë, kur futboll në Kosovë është luajtur dhe janë zhvilluar gara edhe nën okupim e nën kushte të vështira. Mbesin imazhe të paharruara ato të okupimit, ku në fushat dhe terrenet tërë baltë dhe pa asnjë infrastrukturë është luajtur futboll e futbollistët pas përfundimit të ndeshjeve kanë mësyrë përroskat e vijat e ujit që kanë qenë afër për të shpëlarë fytyrën e hequr djersët pas lojës. Këto tregojnë për shpirtin dhe vullnetin e madh të cilin ka populli ynë që kurrë nuk do të shuhet.

Urime dhe suksese e rezultate sa më të mëdha edhe në të ardhmen!

Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Exit mobile version