18.1 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Ulja e papunësisë në Kosovë, këto janë shifrat e fundit zyrtare që flasin për situatën aktuale

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka deklaruar se papunësia në vend është më e ulëta në 20 vjetët e fundit.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës, brenda vetëm një muaji është ulur për 6.6 për qind.

“Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130,289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9 për qind. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6 për qind që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1 për qind”, ka shkruar Bislimi.

Pas këtij deklarimi, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri ka thënë se prezantimi i shifrave të nga ana e ministrit në detyrë Bislimi për ulje të papunësisë është manipulim me shifra

Sipas Ymerit, është e pamundur që papunësia të bie në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi paska deklaruar se papunësia na qenka ulur për 6.6 për qind (që i bie 1.8 pikë të përqindjes) gjatë këtij muaji. Aferim. Ky vërtetë do të kishte qenë një sukses i madh. Po të kishte qenë i vërtetë. Por jo. Ministri këtu luan me numra në mënyrë goxha manipulative dhe keqinformuese. Së pari natyrisht që është e pamundur që papunësia të bie në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë. Këtë e di e tërë bota. Sigurisht se e di edhe z. Bislimi”, ka reaguar Ymeri në Facebook.

Ai shton se, nëse në të vërtet ka rënie të papunësisë, atëherë kjo është meritë e qeverive të kaluara.

“Së dyti nëse papunësia na paska rënë për 6.6 për qind atëherë ky do të kishte qenë rezultat i politikave ekonomike të qeverive të kaluara, kur e kemi parasysh se kjo Qeveri është në pushtet prej fillimit të shkurtit, ndërsa Ministri po flet për muajin prill. Është më tepër se naive të mendosh që mund ta ndikosh papunësinë me një muaj mirëqeverisje (edhe kur kjo është superqeverisje siç po e mendojnë zyrtarët qeveritar). Edhe këtë besoj e di z. Bislimi”, shton ai.

Por sa është norma e papunësisë në vend?

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në fund të vitit 2019, pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune.

“Nga kjo, 59.5 për qind e tyre nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit, ku pjesa tjetër e popullsisë që është ekonomikisht aktive, 25.7 për qind janë të papunë. Kurse, raporti i punësimit ndaj popullsisë është 30.1 për qind. Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat me 34.4 për qind se sa për meshkujt me 22.6 për qind”, thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore, 2019”, shkruan Telegrafi.

Deri në fund të vitit të kaluar, fuqia punëtore aktive në Kosovë ishte 488,485 persona, ku 125,305 prej tyre ishin të papunë, kurse 363,180 janë në marrëdhënie pune.

Bislimi ka deklaruar se nga aplikimet e bizneseve në Pakon Emergjente Fiskale, janë regjistruar gjithsej 10.597 punëtorë të rijnë, ndërsa janë larguar nga puna 1,327 punëmarrës.

Duke i mbledhur këto të dhëna, del se në Kosovë në fuqinë punëtore janë shtuar 11,924 persona. Pra, deri më tani në vendin tonë janë të punësuar 373,777 persona, kurse të papunë janë 126,632 persona apo 25.31 për qind e tyre.

Banka Botërore në raportin e fundit për Kosovën, lidhur me papunësinë, thotë se Kosova po hyn në krizën e COVID-19, me 70 për qind të popullsisë të papunë.

“Treguesit e tregut të punës u përmirësuan më 2019, por sërish mbeten të dobët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shkalla e punësimit u rrit mesatarisht me 1.3 pikë përqindje në vitin 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, por është akoma më e ulëta në rajon. Papunësia ra për 3.9 pikë përqindje, meqë më shumë qytetarë gjetën vende pune, por pjesëmarrja në fuqinë punëtore ra për 0.4 pikë përqindje, dhe mbetet ende e ulët në një mesatare prej 40.5 për qind. Kështu, gjersa Kosova po hyn në krizën e COVID-19, 70 për qind e popullsisë në moshë pune nuk janë të punësuar”, thotë Banka Botërore, shkruan Telegrafi.

Ndryshe Telegrafi ka kontaktuar me disa kompani e biznese, të cilët kanë konfirmuar se kanë probleme me funksionimin e tyre në kohën e pandemisë.

Disa prej tyre, kanë pezulluar apo edhe përgjysmuar numrin e punëtorëve pas vendosjes së masave emergjente ndaj COVID-19.

Problemin me punësim edhe me ruajtjen e vendeve të punës e kanë adresuar edhe shumë ekonomistë të vendit, të cilët kanë thënë se ky duhet të jetë prioriteti i parë, pastaj një plan për rimëkëmbje konkrete për bizneset, kompanitë dhe të prekurit nga kjo situatë.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles