11.9 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Turqia, gjithmonë pran shqiptarëve

Shkruan: Sali Kabashi – Historian

Duke u munduar që ta shprehin atdhedashurinë për Kosovën e Shqipërinë, disa, po kanë urrejtje dhe fobi ndaj këtij shteti, por asnjë herë nuk duhet të harrojmë atë se çka bëri për ne, atëherë kur askujt nuk i bëhej vonë për shqiptarët! Andaj, duke e lenë anash urrejtjen dhe fobinë e kamufluar me “patriotizëm” ndaj Turqisë, të kujtojmë pak të mirat e këtij shteti që i bëri për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Turqia ndalë planin famëkeq të Greqisë (1996-1997)

Kur në vitin 1997 (gjatë krizës në Shqipëri) Greqia ishte e gatshme të dërgonte trupa ushtarake në jug të Shqipërisë, gjoja për të mbrojtur minoritetet greke në Shqipëri, qeveria turke u bëri të ditur grekëve se një sulm ushtarak mbi Shqipërinë do të konsiderohej nga qeveria turke si një sulm mbi Turqinë duke e detyruar qeverinë greke të deklaroi publikisht se nuk mund të dërgonte trupa greke në Shqipëri, sepse do të sulmohej nga aleati i saj historik, Turqia. Në krizën e Shqipërisë 1996-97, në kuadër të operacionit “ALBA” Turqia dislokoi në Shqipëri 900 trupa për mbrojtjen e Shtetit shqiptar nga tendencat shoviniste të Greqisë. Turqia akuzonte grekët për revoltat në Shqipëri. Ajo që vlen të theksohet, është që përveç Turqisë, asnjë vend i NATO-s apo BE-së nuk reagoj kaç prerë në mbrojtjen të sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë.

Në një intervistë, kolonel Hajro Limaj, ish atasheu ushtarak shqiptar në Ankara, deklaronte; “Të gjitha të dhënat informative vërtetonin se rreziku ushtarak i Greqisë ishte imediat. Shqipëria nuk kishte më forcë politike dhe ushtarake ti kundërvihej qëndrimit agresiv të Greqisë. Shtetet e tjera heshtnin. Turqia përpara këtij rreziku, me 17 mars 1997 nëpërmjet Kryeministres së saj Tansu Çiler deklaroi botërisht: Turqia nuk do të qëndroi spektatore ndaj përpjekjeve territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë…Gabimi që u bë me Bosnjën nuk duhet të përseritet në Shqipëri. Në këtë kuadër, Turqia do ti jap Shqipërisë të gjitha ndihmat e nevojshme, si në planin politik dhe ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak”.

Gjendja jo që nuk po qetësohej, por në disa zona kishte eskaluar situata, sa që edhe po valëviteshin flamuj grek! Duke parë situatën Kryeministrja turke Tansu Çiler me 29 maj deklaroi hapur para të gjitha mediave botërore: “Turqia është e vendosur të ruaj integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndroi pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, prandaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëj gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri.” Por në të vërtetë, as këto deklarata të Kryeministres turke nuk e stoponin invazionin e kamufluar të shteteve përreth Shqipërisë, andaj Tansu Çiler u detyrua që me 17 maj 1997 edhe një herë para gazetarëve të deklarohej hapur: “Dëshiroi të tërheq vëmendjen veçanërisht në disa probleme, që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Nga fundi i qershorit do të zhvillohen zgjedhjet. Po paralajmërojmë edhe një herë opinionin publik botërorë: Asnjë të mos përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë”

Turqia e vetmja mbështetëse e Shqipërisë në ndërhyrjen ushtarake në Kosovë (1999)

Nga të gjitha shtetet ku Shqipëria kërkoi mbështetje politike, diplomatike e ushtarake, për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës, i vetmi vend, që iu përgjigj pozitivisht ishte Turqia. Andaj, nëse NATO nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, plani ishte që Shqipëria me në krye Pandeli Majko-n, me mbështetjen edhe të ushtrisë turke, të ndërhynte ushtarakisht për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës!

Me datat 2 dhe 3 mars 1999, ish-Kryeministri Pandeli Majko, në krye të një delegacioni qeveritarë, shkoj për një vizitë zyrtare shumë të rëndësishme në Ankara të Turqisë. Kryeministri Majko u prit nga Presidenti, Sulejman Demirel, Kryeministri Bylent Exhevit dhe shefi i Shtatmadhorisë e komandant i Forcave të Armatosura, Gjeneral Armate Hysejin Kivirkoglu. Çështjet për të cilat u diskutua ishin, rrugët për zgjidhjen e krizës në Kosovë, mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë, sepse ishte frika që ndoshta Serbia do të merrte ndonjë invazion kundër shtetit shqiptarë, me arsyetimin e asgjësimit të celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët stërviteshin në Shqipëri, si dhe diskutimin e hyrjes së Shqipërisë në Luftë kundër shtetit serb, i cili kishte filluar një gjenocid të ashpër kundër popullsisë shqiptare nga Sllobodan Millosheviç, mënyrë e cila do të hynte në zbatim nëse NATO nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.

Shteti i Shtatmadhorisë, Gjeneral Armate Hysejin Kirvekoglu, i garantoi Kryeministrit Majko mbështetjen e gjithanshme ushtarake në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë nëpërmjet rrugëve konkrete që do të aplikoheshin sipas zhvillimeve të ardhshme në terren. Gjithashtu, ai e garantoi Kryeministrin Majko, se do të mbështeste ushtarakisht Shqipërinë, nëse ajo do të detyrohej të futej në luftë me Serbinë për të shmangur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.  Nga të gjitha shtetet të cilave Shqipëria iu kërkoi mbështetje politike,  diplomatike dhe ushtarake për një ndërhyrje ushtarake të detyruar për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës, i vetmi ven që iu përgjigj pozitivisht ishte Turqia. Një rol shumë të rëndësishëm e luajti lobi shqiptar që jeton në Turqi dhe media turke që ishte ngritur e gjitha në këmbë për të shmangur një Serbrenicë në Kosovë.

Ushtria turke pengon rusët që ta ndihmojnë Serbinë (1999)

Turqia e pengoi kalimin e flotës ruse përmes Dardaneleve që po shkonte në Adriatik për ta bllokuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës! Kjo ndodhi pasi që UÇK kërkoi ndihmë nga Ushtria turke për këtë gjë. Ndoshta mund të jetë rast unik në Botë, që një Shtet të plotësoi një kërkesë të këtij lloji vetëm me një fjalë goje.

Disa ditë pas angazhimit të NATO-s  në luftën e Kosovës, Rusia kërkoi që të dërgonte një flotë detare në Detin Adriatik për të përforcuar edhe më shumë izolimin e UÇK-së, jo vetëm për armatim, por edhe me ushqim dhe gjera të tjera që ishin të nevojshme për kryengritësit shqiptarë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kontakton me atasheut ushtarak të Shqipërisë në Turqi, Kolonel Hajro Limaj, të cilit i kërkojnë që të kërkonte nga Ushtra turke që ta bllokonin Rusinë që tu vinte në ndihmë forcave serbe, Kolonel Hajro Limaj iu premtoi që do të bënte të pamundurën që të intervenonte tek drejtuesit e lartë të Ushtrisë turke që kërkesa të pranohej. Pas disa orësh, Koloneli Limaj, i lajmëron kryengritësit shqiptarë (UÇK-në), se komanda e ushtrisë turke do të shfrytëzonte të gjitha të gjitha klauzolat që mund të kishin konventat ndërkombëtare  për këto lëvizje dhe nuk do të lejoheshin të kalonin anijet luftarake ruse. Po, ashtu edhe ndodhi, Ushtria turke nuk lejoi kalimin e Flotës luftarake ruse që të dalë në Adriatik dhe ta bllokonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Angazhimi i Turqisë për intervenimin e NATO-s dhe ndihma ndaj popullit shqiptarë (1998-1999)

Meritat më të mëdha për çlirimin e Shtetit dhe popullit të Kosovës, përveç Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pa dyshim edhe intervenimi i NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Nga shtetet evropiane që ishin pjesëtarë të kësaj Aleance, shteti më i devotshëm në insistimin për intervenim të NATO-s në Kosovë dhe në ndihmë të popullit të pafajshëm, pa asnjë fije dyshimi, ishte shteti i Turqisë, i cili vuri në lëvizje çdo instancë të mundur në shërbim të zërit të shqiptarëve nga Kosova.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat Ushtarake dhe Paramilitare serbe, Turqia futi në funksion avionët e saj F-16, të cilët ishin ndër më të saktit në caqet serbe, avionët turq e lëshonin të gjithë ngarkesën mbi objektivat serbe duke mos qenë në një linjë me avionët francezë që e lëshonin ngarkesën e tyre të përgjysmuar, ose në hapësira të vdekura, e jo mbi forcat serbe. Shteti turk u tregua aktive edhe gjatë krizës së refugjatëve shqiptarë, duke qenë në shërbim të tyre ku do që ishin, nga Ankaraja dhe Stambolli u dërguan me dhjetëra makina TIR, që sillnin mbështetje materiale dhe logjistike në Tiranë dhe në Elbasan, ndërsa nga Ankaraja në Tiranë fluturonin avionët Kargo. Në Elbasan, me financimin e plotë nga Turqia u ngrit kampi i refugjatëve për 10 mijë vetë, ndërsa në Traken perëndimore, në Turqi, u ngritën kampet e strehimit për 20 mijë kosovarët, që u transportuan me avion nga Maqedonia. Gjithashtu në Maqedoni, Turqia ngriti një qytezë me çadra për 10 mijë kosovarë, etj.

Duhet të cekim edhe faktin se Turqia është një ndër shtetet e para që e njohu Pavarësinë e Shtetit të Kosovës, si dhe lobuesja më e madhe për njohje të mëtejshme të shtetit tonë, sidomos nga shtetet e lindjes të cilat ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, këtë na e ka dëshmuar edhe Presidenti i tanishëm i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ku me një kërkesë të hapur në Samitin e shteteve Islamike, iu kërkon që ta njohin Pavarsinë e Shtetit të Kosovës nga ato shtete Islame që ende nuk e kanë bërë këtë gjë.

Shënim: Pra, ne mund të kemi simpati apo urrejtje për një shtet të caktuar, por asnjëherë nuk është etike që ta mohojmë atë që është e vërtetë, e sidomos atë që e kanë bërë për ne! Për mendimin tim personal, shteti turk është i gatshëm që në çdo kohë që është nevoja, do ti vijë në ndihmë shteteve shqiptare në çdo mënyrë që e kërkon situata, qoftë në diplomaci, ekonomi, politikë, ashtu edhe në çështje ushtarake, gjë për të cilën asnjë shtet evropian nuk është në gjendje ta fus kokën ndërmjet gërshërëve për shqiptarët, këtë e dimë të gjithë.

 

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles