Site icon Prishtinapress

Turqi, kthehet ora policore dhe mbajtja e detyrueshme e maskës

Autoritetet turke kanë vendosur detyrim për bartjen e maskës në tre qytetet më të mëdha dhe do të vendosin orë policore të kufizuar për shkak të provimeve të studentëve për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, pas rritjes së rasteve të reja pas rihapjes së shumë kompanive.

Guvernatorët e Stambollit, Ankarasë dhe Bursës kanë njoftuar se maska do të jetë e detyrueshme në bazë të rekomandimeve të Këshillit Këshillëdhënës Shkencor. Maskat, tani janë të detyrueshme në 47 nga gjithsej 81 provincat e Turqisë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kumtoi se ora policore do të vendoset nesër dhe fundjavën e ardhshme, kur studentët në të gjithë Turqinë do të hyjnë në provime. Ministri i Shëndetësisë Fahretin Koça nëpërmjet Twitterit, porositi se do të vendoset “orë e kufizuar policore” do të jetë në fuqi, për disa orë, për të parandaluar tubimet. Prindërit dhe studentët e shqetësuar kanë bërë thirrje që provimet të shtyhen për shkak të pandemisë së Kovid-19.

Turqia shënon rritje të numrit të rasteve të reja pozitive me Kovid-19, ndërsa Ministria e Shëndetësisë kumtoi muajin e kaluar se numri i përditshëm i rasteve të reja ishte rreth 600 vetëm në Stamboll, qyteti më i populluar i vendit me 15 milion banorë.

Që nga fillimi i epidemisë, më shumë se 184.000 raste janë konfirmuar në Turqi, ndërsa kanë vdekur 4.882 persona.

Exit mobile version