Site icon Prishtinapress

Trepça në pritje të formimit të Bordit Mbikëqyrës

Në “Trepçë” janë në pritje të formimit të Bordit Mbikëqyrës, i cili do ta zgjedhë Bordin Menaxhues, që pastaj do të fillojë procesin e transformimit dhe ristrukturimit me qëllim të krijimit të politikave për zhvillimin e kombinatit.

Miniera e “Trepçës”, në Stan Tërg, në vitin 2016 ka arritur rezultatet më të mira në krahasim me vitet e tjera të pasluftës. Me miratimin e Ligjit për “Trepçën”, si dhe zbatimin e tij, “Trepça” do ta dyfishonte, apo edhe do ta trefishonte prodhimin, por aktualisht gjendja në “Trepçë” nuk ka ndryshuar për asgjë.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, tha se viti ka nisur mbarë në “Trepçë”, por ka sqaruar se tani janë duke pritur që të formohet Bordi, i cili edhe do ta zbatojë ligjin, shkruan gazeta Zëri.

“Ne jemi në pritje të formimit të Bordit. Bordi është ai që do ta implementojë ligjin, besoj se së shpejti do të formohet Bordi”, ka thënë Tmava.
Si[pas tij, viti 2016 ishte viti më i suksesshëm i pasluftës. “18.530 tonë xehe të plumbit dhe të zinkut i kemi nxjerrë vitin që shkoi, është viti më i suksesshëm sa i përket prodhimit deri më tani.

Minatorët çdo herë kanë qenë në ballë të përgjegjësive kombëtare, çdo herë kanë qenë tregues të rrugës drejt perspektivës. Edhe vitin që shkoi puna dhe angazhimi i tyre na kanë bërë të jemi krenarë. Bazuar në gatishmërinë e institucioneve qendrore me të cilët u definua statusi i Ndërmarrjes ‘Trepça’ dhe u miratua Ligji për ‘Trepçën’ në Kuvendin e Kosovës, ne e patëm shpallur 2016-ën vit të suksesit dhe të prodhimit dhe kemi treguar se ‘Trepça’, si një ndërmarrje publike me një ligj të veçantë, do të ndikojë fuqishëm dhe pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Tmava.

Sipas tij, nuk është më aspiratë, por realitet, se Ligji për “Trepçën” e bën atë si të tërë, të pandarë, e cila do të funksionojë edhe si e tillë. /Zëri/PrishtinaPress.eu

Exit mobile version