Coronavirusi shkaktuar një tragjedi shumë të rëndë në familjen Ymeri nga Ferizaj, ku tre anëtarë të kësaj familje e kanë humbur betejën me COVID-19.
Tre vëllezërit Ferat, Murat dhe Berat Ymeri kanë vdekur brenda një muaji, pasi nuk kanë arritur të shërohen pas infektimit nga coronavirusi.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati që të ndjerit i kishte familjarë.
“Tre vëllezër, kushëri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur. Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt. Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre. Pushoni të qetë kusho”, ka shkruar Murati.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të shtunën ka raportuar për 9 persona të vdekur dhe 169 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.
Shifrat e reja të të infektuarve dalin pas testimit të 455 mostrave.
Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para me coronavirus në Kosovë – e deri më 22 gusht, në Kosovë janë regjistruar 12,337 të infektuar me coronavirus.
Prej tyre, 8,346 pacientë janë shëruar dhe 3,534 raste vazhdojnë të jenë aktive.