Site icon Prishtinapress

Tollovia te salla “1 Tetori”, reagon Ministria e Shëndetësisë

Jeta e mijëra qytetarëve të Kosovës u rrezikua ditën e sotme pasi u krijua tollovi te salla “i Tetori” në Prishtinë nga numri i madh i të interesuarve për imunizim. Ministria e Shëndetësisë është arsyetuar lidhur me rastin.

Zyrtari i kësaj ministrie, Faik Hoti, thotë se tollovia u shkaktua pasi qytetarët nuk e kishin kuptuar drejt informacionin se ku do të mund të drejtoheshin për të marrë dozën e parë kundër Covid-19.

“Procesi i vaksinimit në Kosovë ka filluar me vonesë në krahasim me vendet e tjera dhe  pas fazës së parë që kishte përfshirë disa kategori të caktuara në vaksinim, nga dita e mërkurë në Kosovë u fillua me fazën e dytë të vaksinimit ku prioritet iu tha një grupacioni, një kategorie në numër shumë më e madhe se kategoritë që janë vaksinuar në fazën e parë. Me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi dhe të rritjes së spektrit të atyre që do të përfshihen në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 në Kosovë Ministria e Shëndetësisë filloi nga e mërkura që të vaksinojë qytetarët e moshës mbi 65 vjeçare me qëllim të krijimit të imunitetit të tyre për mbrojtje nga Covid-19”, thotë Hoti për RTK’në.

“Ditën e parë patëm gjithashtu një fluks të madh të qytetarëve ndërsa sot ishte fluksi edhe më i madh sepse duket se disa qytetarë nuk e kanë kuptuar drejtë informacionin e dhënë që nga dita e sotme procesi i vaksinimit shtrihet në të gjitha komunat përveç vaksinimit në sallën “1 Tetori”, shtoi ai.

“Problemi nuk është tek qytetarët. Natyrisht ne ishim të interesuar që informacioni të shkojë të secili dhe secili qytetar sot vaksinën kundër Covid-19 mund ta marrë në komunën  e vetë mirëpo interesimi ishte jashtëzakonisht i madh sidomos në orët e paradites me ç’rast u krijuan ato pamje që nuk i dëshirojmë as ne mirëpo për fat të mirë gjatë ditës procesi u stabilizua”, theksoi Hoti.

Sipas Hotit, pamje të tilla nuk do të përsëriten.

“MSH është e përkushtuar dhe siguron qytetarët se pamje të tilla më nuk do të ndodhin për shkak e gjatë ditës së sotme është punuar me komunitetin”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte njoftuar të mërkurën , më 12 maj, do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.

Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca – 24,000 sosh – në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

BE’ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE’ja, ose nga OBSH’ja.

Të premten, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arriti në 106.803, i viktimave në 2.220 dhe i të shëruarve në 99.097.

Exit mobile version