6.4 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Tiranë: Zgjedhjet e pazakonta vendore dhe tensioni qeveri – opozitë

Shqipëria po kalon sot një fundjavë të pazakontë elektorale, kur Presidenti Meta i anuloi zgjedhjet vendore dhe i shtyu për në tetor, por qeveria po i përgatit ato për nesër, duke shpërndarë materialet zgjedhore dhe duke ndaluar këdo që e pengon këtë proces.

Pritet që nesër të zhvillohen zgjedhjet vendore të radhës në një situatë të pazakontë. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, ndërsa presidenti Ilir Meta, me anulimin e zgjedhjeve dhe më pas duke dekretuar një datë të re, shkaktoi jo pak polemika.

Socialistët pohojnë se 30 qershori është e vetmja datë kushtetuese, kur mund të mbahen zgjedhjet vendore kanë nisur në parlament një procedurë shkarkimi për shkelje kushtetute pas anulimit të zgjedhjeve ndaj presidentit Ilir Meta.

Presidenti Meta edhe sot shpërndau një thirrje për “qetësi dhe mençuri” për ditën e nesërme. Zoti Meta kërkoi nga qytetarët “vetëpërmbajtje dhe sjellje civile e demokratike” gjatë ditës së nesërme.

“Paqja sociale është me rëndësi të jashtëzakonshme, – tha zoti Meta, – ndaj ruajtja e saji shërben të ardhmes europiane të Shqipërisë”. Ai u kërkoi qytetarëve t’u shmangen provokimeve që mund sjellin dhunë, në mënyrë që dallimet politike të mos cenojnë bashkëjetesën qytetare.

Opozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve, dhe ditët e fundit po u bën thirrje qytetarëve “të mos marrin pjesë në një proces farsë”, sipas saj.

Në shumë bashki ku drejtojnë përfaqësuesit e saj, institucionet lokale nuk po lejohen të përdoren nga administrata zgjedhore. Zgjedhjet e nesërme po organizohen në sfondin e një situata politike tejet të tensionuar.

Në muajin shkurt opozita doli nga parlamenti, duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj, vendosi më pas dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore, duke e kthyer 30 qershorin në një pikë kulmore të betejës së saj politike, për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe denoncoi sot presione, që sipas saj, qeveria po u bën punonjësve të administratës publike për të marrë pjesë me detyrim në votimet e dielës bashkë me familjarët e tyre, se në të kundërt mund të largohen nga puna ditën e hënë.

Shumica socialiste mbajti një pozicion të prerë qysh në fillim, duke deklaruar se nuk pranonte të negocionte mbi datën e zgjedhjeve, mbajti të njejtën linjë dhe pasi Presideti Ilir Meta anulloi 30 qershorin. Përfaqësuesit socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk e morën në konsideratë dekretin e kreut të Shtetit, dhe vijuan me përgatitjet, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor i dha më pas të drejtë, për vendimin e marrë.

Caktimi i një date të re zgjedhjesh nuk ndryshoi asgjë, ndërkohë që protestat shpesh të dhunshme të opozitës, rritën frikën e trazirave ndërsa drejtuesit e saj këmbëngulnin se nuk do të lejonin me çdo çmim mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Nga ana tjetër forcat e rendit po ndalojnë roje shkollash, zyrtarë vendorë dhe veprimtarë të opozitës, që pengojnë ngritjen e qendrave të votimit.

Një numër i pazakontë rojesh të tjerë me uniforma ushtarake dhe policore kanë marrë në mbrojtje objekte publike të caktuara si qendra votimi.

Në këtë situatë të tensionuar, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri me deklarata të njëpasnjëshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, OSBE-ja dhe ambasadat e vendeve europiane, ishin në një linjë ndërsa dënonin aktet e dhunës, dhe kërkonin që të garantohet një proces i qetë zgjedhor, ku të respektohet e drejta e gjithkujt për të votuar. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bëri thirrje dje udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhunë dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar” – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. – Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit” – theksohet në deklaratë.

Përfaqësitë diplomatike, si ambasada amerikane dhe OSBE, ashtu edhe Bashkimi Europian dënoi dhunën e çdo forme dhe deklaroi se qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore në votimet e 30 qershorit.

“Është përgjegjësi e aktorëve politikë që të mos pengohen veprimtaritë e votimit. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane” – deklaroi BE-ja – duke theksuar se të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese.

Përfaqësuesit e opozitës u bënë thirrje qytetarëve të bojkotojnë këtë proces farsë për zgjedhjet e pushtetit vendor, për të cilat presidenti Meta ka dekretuar tashmë datën 13 tetor. PD dhe LSI renditin në deklaratat e veta një seri rastesh nga gjithë vendi, ku sipas tyre, përfaqësuesit socialistë dhe drejtues policie po përgatitin zgjedhjet vendore, ku opozita nuk po merr pjesë me kandidatët e saj.

Socialistët u gjendën të vetëm dhe pa asnjë kundërshtar në thuajse gjysmën e bashkive, socialistët zhvilluan praktikisht më shumë një fushatë politike. Fjalimet e kryeministrit Edi Rama gjatë takimeve në mbarë vendin u zotëruan nga retorika kundër opozitës, sesa nga premtimet për vitet e ardhshme.

Tensionet nuk kanë munguar dhe në orët e fundit. Në bashkitë e drejtuara nga përfaqësuesit e djathtë, nuk po lejohet përdorimi i institucioneve publike nga adminstrata zgjedhore. Komisioni Qendor i Zgjedhjeve edhe sot ka marrë vendime duke ndryshuar vendndodhjet e disa Komisioneve Zonale apo Qendrave të Votimit.

Krejt ndryshe nga presidenti i Reëkës, që i anuloi votimet e nesërme, duke i quajtur ato zgjedhje socialiste dhe ftoi qytetarët të mos marrin pjesë në to, qeveria po vazhdon me përgatitjen e tyre.

KQZ me shumicën e anëtarëve socialistë po vazhdojnë përgatitjen e zgjedhjeve, ndërsa ODIHR, i ftuar nga qeveria të ndjekë zgjedhjet ka në terren një grup prej afro 200 vëzhguesish afat-shkurtër./zeriamerikes/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles