Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar lart ndarjen e titullit “Oficer i Madh i Legjionit” për shkrimtarin Ismail Kadare nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, duke thënë se ky është vlerësim i lartë ndërkombëtar për krijimtarinë e jashtëzakonshme të gjeniut të letrave shqipe, që me vite është pretendent për Çmimin Nobel për letërsi.
“Shkrimtarit Ismail Kadare, që me dinjitet e përfaqëson letërsinë shqipe në rang botëror, i shprehim urimet më të sinqerta, ndërsa presidentit Macron falënderim dhe konsideratë të veçantë”, shkruan Thaçi në Facebook.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është vlerësuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Promovimi civil i Legjionit të Nderit më 1 janar mbledh 487 njerëz të ndarë midis 395 kalorësve, 73 oficerëve, 13 komandantëve, katër oficerëve të mëdhenj dhe dy kryqeve të mëdha.
Legjioni i Nderit është më i larti i dallimeve kombëtare franceze. Është themeluar nga Napoleon Bonaparte në vitin 1802. Sot, legjioni ka 92,000 anëtarë, të shpërblyer për meritat e tyre të shquara në shërbim të kombit.