Site icon Prishtinapress

Thaçi: Të mirat që i vijnë Kosovës, burojnë nga sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të kombit

Presidenti Hashim Thaçi, mori pjesë sot në përkujtimin e të rënëve në masakrën e Rezallës. Pasi vendosi lule te varrezat e të rënëve,

presidenti Thaçi, ka thënë se duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm për atë sakrificë të madhe që është bërë për të arritur në këtë ditë.

Në përkujtimin e 18-vjetorit të masakrës së Rezallës, Presidenti ka thënë se shteti, shoqëria kosovare dhe gjithë kombi shqiptar nderon dhe respekton martirët e lirisë të Rezallës dhe gjithë Kosovës, që dhanë jetën e tyre për liri, për pavarësi.

“Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm, se pa ato përpjekje, pa atë sakrificë, nuk do të ndodhte as liria, e as pavarësia e Kosovës”, ka shtuar presidenti Thaçi, transmeton Indeksonline.

Ai më tej ka thënë se derisa sot kujtojmë me dhimbje të gjithë të rënët për liri dhe pavarësi, por në të njëjtën kohë ndihemi edhe krenarë.

Presidenti ka shtuar se me dhimbje të madhe kujtojmë të gjithë ata martirë, prej foshnjave deri te njerëzit më të moshuar që janë viktimë e dhunës dhe represionit deri në përmasat të gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia e Serbisë.

“Ndihemi shumë krenar me të gjithë ata bashkëluftëtar, me familjet tuaja, që secila shtëpi e juaja këtu në Rezallë dhe kudo në Drenicë ishit Ushtri Çlirimtare e Kosovës, dhe të jeni të bindur dhe ndihuni gjithmonë krenarë, siç jeni ndjerë gjithmonë. Sepse, pa atë bashkim tuajin, pa atë sakrificë tuajën, nuk do të ndodhtë e mrekullueshmja liri, që po e gëzojnë fëmijët e Kosovës sot”, ka theksuar Presidenti,

Ai, më tej ka thënë se jemi pikërisht sot këtu në Rezallë për të përkujtuar dëshmorët e lirisë, për të përkujtuar të kaluarën, por edhe për të marrë energji për synimet tona për të ardhmen e Kosovës si shtet i konsoliduar, për tu anëtarësuar në NATO, në Bashkim Evropian.

“Tani, shtetin po e forcojmë, kemi njohje të reja, do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera ndërkombëtare, do ta kemi shumë shpejtë në të ardhmen e afërt edhe Ushtrinë e Kosovës, do ta kemi edhe pjesë të NATO-s, do ta ruajmë edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e theksoj gjithçka që i vjen mirë Kosovës, buron nga sakrifica e martirëve të lirisë, dëshmorëve të kombit, luftës që kemi zhvilluar”, ka shtuar presidenti Thaçi, thuhet në njoftimin për media./Indeksonline/

Exit mobile version