Site icon Prishtinapress

Thaçi: Skënderbeu dëshmoi se një popull i vogël mund t’i bëjë ballë një fuqie të madhe në luftë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në profilin e tij në facebook ka përkujtuar vdekjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 549 jetë më parë.

Ai ka shkruar se Heroi ynë kombëtar ishte i pari që realizoi një bashkim politik të shqiptarëve në Besëlidhjen e Lezhës dhe për çerek shekulli ndali perandorinë më të fuqishme të kohës që të depërtonte në zemër të Evropës.

Ja postimi i tij i plotë:

“Si sot, 549 vjet më parë, ndërroi jetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve.

Heroi ynë kombëtar ishte i pari që realizoi një bashkim politik të shqiptarëve në Besëlidhjen e Lezhës dhe për çerek shekulli ndali perandorinë më të fuqishme të kohës që të depërtonte në zemër të Evropës.

Me luftën e tij të paepur, ai i dëshmoi mbarë botës se edhe një popull i vogël si yni mund t’i bëjë ballë një fuqie të madhe në luftë të drejtë për liri.

Figura e Skënderbeut ka mbajtur të pashuar dashurinë e shqiptarëve për liri dhe orientimin tonë gjeopolitik drejt perëndimit.

Vepra e tij frymëzoi rilindjen tonë kombëtare, qëndresën ndaj pushtuesve, luftën çlirimtare në Kosovë dhe do të na frymëzojë edhe në të ardhmen për konsolidimin e shtetit tonë të pavarur e sovran. HTH”, ka shkruar Thaçi. /Indeksonline/

Exit mobile version