Site icon Prishtinapress

Thaçi: Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria, precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.

Thaçi, po ashtu thekson se edhe në kohën e pandemisë, rendi kushtetues e ligjor janë të pacenueshëm.

“Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës“, shkruan Thaçi.

Thaçi ka dënuar gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura si Gjykata Kushtetuese, teksa theksoi se qasja shpërfillëse e qeverisë në detyrë e zbeh kredibilitetin e institucioneve.

“Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë. Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme”, shkruan Thaçi.

Presidenti ka ftuar partitë politike që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se Qeveria në detyrë ka tendencë ta përmbysë rendin kushtetues duke refuzuar t’i zbatojë këto vendime.

“Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj. Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues”, shkruan ai.

Exit mobile version